
Nuk është më surprizë! Dance With Me, pas pak javësh nis edicionin e 5-të. Pas plot katër edicioneve me personazhe nga më interesantët, karaktere nga fusha të ndryshme të artit, kulturës, politikës, biznesit apo shoqërisë civile, skenën e kërcimit këtë vit do ta provojnë personazhe të tjerë. Edhe këtë edicion, produksioni ka nisur nga puna për të pasur një kast të larmishëm personazhesh, të cilët jo vetëm kanë dëshirë të kërcejnë, por sidomos të sfidojnë veten duke i dhënë publikut një profil tjetër nga ai që njohim. Jashtë punës dhe profesionit të tyre, sfida e konkurrentëve është të shpalosin talentin në një fushë të panjohur, por njëkohësisht të fitojnë shpejt zemrat e publikut me komunikimin e tyre të hapur (me këtë rast, edhe të jurisë për të fituar disa pikë më shumë). Nën firmën Vera Grabockës dhe Alketa Vejsiut, si çdo vit, këtë herë personazhet do të kombinohen në çifte për të qenë unikë. Po cilët janë të parët?

Monika Lubonja
Revolucionarja e filmit dhe e ekranit, Monika Lubonja është një prej aktoreve që di të hyjë në lëkurën e çdo roli. Që në fillim të viteve ’90, Monika guxoi më shumë se askush tjetër me interpretimin e personazheve të zhveshur nga pluhuri i së kaluarës. Kush fshihej pas Monikës, nuk ishte më një grua e përulur, e trishtë, e bindur dhe e përbuzuar, përkundrazi. Ajo theu tabutë për të treguar se filmi shqiptar duhet të notonte në ujëra të tjerë, më të guximshëm e më të fortë. Personazhi grua që interpretoi Monika ishte e guximshme. Dhe jo vetëm sepse i hoqi “perden” syve të shoqërisë, por edhe sepse e prezantoi gruan me dimensionin e saj të plotë: të fortë e të brishtë, të pavarur e sensuale, sfiduese dhe romantike.
Monika numëron sot dhjetëra role në film dhe në teatër, por është edhe e para producente grua e shumë shfaqjeve në Teatrin e Kukullave, institucion në të cilin për më shumë se katër vite ishte drejtuese. Monika në film apo Monika në teatër? Ndoshta edhe ajo e ka të vështirë ta bëjë zgjedhjen, po për momentin do të shijojë për një sezon të gjatë kërcimin. Ndonëse me të nuk e ka aq të ngushtë raportin sa me teatrin, sprova e parë e mirëfilltë lind në "Dance With Me".

Sazan Guri
Zëri që flet për gjithçka shqetëson shoqërinë tonë, zëri i të gjithëve para çdo padrejtësie që i bëhet shoqërisë civile. Sazan Gurit nuk i intereson se cila politikë fiton ndaj një tjetre, ai ka lindur për të qenë antikonformist. Një prej ambientalistëve që mund ta shikosh çdo ditë rrugëve të Tiranës me biçikletë, madje edhe duke reaguar ndaj fenomeneve që ndotin mjedisin. I pari që vjen pa u menduar dy herë në studio televizive, sa herë ka një temë që shqetëson shoqërinë tonë.
Por skena e kërcimit nuk do të jetë një “arenë” debati për të. Ose, nëse kthehet e tillë për aftësitë e tij në të kërcyer, Sazan Guri, me siguri do t’i gjejë argumentet për t’u vetëmbrojtur. Sfidat, sado të vështira qofshin, nuk janë aspak problem për protagonistin e mediave dhe përfaqësuesin më të denjë të shoqërisë civile.

Eni Jani
Era e ëmbël dhe e trishtë e “Njerëz dhe fate”, asokohe u kthye në idhullin e shumë vajzave të reja që aspironin aktrimin dhe ekranin. Jo sepse zbuloi një profil të ri të një vajze që dëshironte një të ardhme më të mirë për familjen dhe veten, por edhe sepse krijoi një imazh që publiku nuk e harroi më. Melankolike, e paqtë dhe me një qëndrim naiv në dukje, Eni shfaqi talentin si artiste shumëdimensionale. Nuk kaloi shumë kohë dhe rolet e saj nisën të krijonin një profil më të plotë të aktores dhe regjisores së njohur. Rolet si protagoniste në film dhe në teatër e kanë kthyer Enin në një prej aktoreve më të kërkuara e më të dashura të publikut. Jashtë skenës së teatrit apo sheshit të xhirimit, Eni, natyrisht ka edhe pasione të tjera, një prej të cilave është edhe kërcimi. Në këtë edicion, sfida e saj është e dyfishtë dhe arsyen do ta zbuloni vetëm gjatë spektaklit.

Genci Fuga
Po të themi që është bashkëshorti i Eni Janit, mjafton? Sigurisht që jo! Genci – regjisori dhe aktori që flet me të gjitha rolet dhe për të gjithë personazhet. Sepse është zëri që di të luajë me çdo personazh dhe rrëfimtari me zërin më të veçantë që mund të keni dëgjuar. U bënë shumë vite që nga koha kur në Akademinë e Arteve u njoh me studenten që pak kohë më vonë, do të ishte e zgjedhura e tij e jetës. Bashkë me Enin, Genci ka luajtur një sërë rolesh në teatër, madje edhe si çift bashkëshortësh, ashtu siç numëron edhe shumë role të tjera protagoniste që e kanë shoqëruar me brohorima e duartrokitje të gjata nga publiku. Për filmin, por sidomos për teatrin, Gencit i qan shpirti, ndaj edhe nuk mund të gjente paqe edhe kohët e fundit me kauzën e gjatë të teatrit.
Megjithatë, me gjithë problematikat që shfaq profesioni dhe pasioni i tij më i madh, Genci do ta lërë për pak kohë “zonën e nxehtë” të teatrit për të ndezur skenën e “Dance With Me”. Këtu nuk vjen vetëm për të sfiduar veten në kërcim, por edhe për t’i treguar Enit, se ia del edhe aty ku bashkëshortja e tij, ndoshta nuk beson aq shumë.

Genci do të kërcejë me Enin apo jo? Se kush kërcen me kë, është akoma herët për ta zbuluar. Prisni edhe pak, ka akoma surpriza!
