Kujt ia kishte marrë mendja që një deklaratë e fundit e tij, në studion e "Soiree" në Top Channel do të bënte xhiron e lajmit në median shqiptare?! Në fakt, ai vetë sa herë shfaqet në ekran bëhet protagonist sakaq, përmes zërit, por edhe batutave apo historive të jetës që i tregon thjesht bukur e pa doreza. Elton Deda, është artisti që e duan të gjithë, mbi të gjitha një këngëtar me reputacion të jashtëzakonshëm.

Në puntatën e mbrëmshme të "Soiree", emisionit të moderuar nga Jonida Shehu, kryefjala e diskutimit mes të ftuarve special dhe Eltonit, ishin pikërisht nga dëshirat e pathëna e të çuditshme të tij, tek marrëdhënia e veçantë me të atin e ndjerë, Ferdinand Deda.

Mes episodeve që u rrëfyen këndshëm, nga profili i tij si artist, e ai familjar, këngëtari i njohur tregoi për herë të parë një dëshirë të çuditshme tijën. Si protagonisti i mbrëmjes që ishte padyshim Elton Deda, ai zgjodhi të ndante me ndjekësit e Soiree-së edhe një dëshirë të tijën të hershme…edhe pak të çuditshme.

“Unë mendjen nuk e kam pasur të bëhem muzikant. Më pëlqente muzika, por doja të bëhesha pilot luftarak. Po, po, e vërtetë, kam dashur të jem pilot ushtarak! Nëse do kisha baba një oficer, unë do isha bërë pilot, padyshim”, rrëfeu Eltoni.

Epo, jemi të lumtur që Elton Deda nuk u bë një pilot, por një muzikant që na ka dhënë e vazhdon të na japë shumë me muzikën e tij.