Ngjarja e rëndë që ndodhi në fillim të tetorit e që përfshiu edhe këngëtaren Elvana Gjata, ka mbetur ende e pazbardhur. Dyshimet se sherri që çoi në vrasjen e një personi nisi për shkak të ngacmimit ndaj këngëtares u pasuan edhe nga pista të tjera, por prokuroria i ka lënë të hapura dhe vazhdon të merret me hetimin.

Por këngëtarja nuk është më në kërkim policor. Sipas burime pranë "Panorama", ka përfunduar afati prej 30-ditësh i kërkimit të Elvanës në lidhje me vrasjen në ish-Bllok, nga e cila mbeti i vrarë 28-vjeçari Fabian Gaxha dhe u plagosën dy të tjerë, Ervis Martinaj dhe Eljo Hato.

Krimi ndodhi më 4 tetor të këtij viti. Njoftimi për Gjatën është dërguar në të gjitha pikat kufitare dhe nëse këngëtarja paraqitet aty, ajo do të shoqërohet për t’u marrë në pyetje. Ajo u shpall në kërkim më 9 tetor, ndërsa Prokuroria urdhëroi shoqërimin e detyrueshëm të këngëtares, e cila ishte në lokalin ku ndodhi ngjarja vetëm 20 minuta para krimit. Shpallja në kërkim policor e detyronte Gjatën që të paraqitej për të dhënë shpjegime brenda 30 ditëve, pasi duhej të jepte deklarimet e saj për ngjarjen. Por kjo gjë nuk ka ndodhur.

E cilësuar si ‘mollë sherri’ për vrasjen në Bllok, ngjarje në të cilin u përfshi dhe i dashuri i saj, Ervin Mata, këngëtarja e njohur shqiptare u largua nga Shqipëria më 5 tetor, vetëm pak orë pas ngjarjes.

Këngëtarja ishte larguar nga Rinasi drejt një vendi të BE-së, ndërkohë që nuk dihet vendndodhja e saj. Kujtojmë se Mata aktualisht është në kërkim policor, bashkë me Meviol Bilon, kushëri i këngëtares. Meviol Bilon akuzohet se qëlloi ndaj viktimës duke e lënë të vdekur.