Nata finale, dalëngadalë po i zbulon surprizat që janë rezervuar në fund të këtij edicioni të DWM. Të gjithë konkurrentët në garë janë duke bërë provat e fundit para se të dalin në skenë me performancat e tyre, por gjatë këtyre orëve, në prapaskena kanë nisur edhe diskutimet për fituesin e natës së madhe.

Shumë emra janë lakuar gjatë këtyre javëve, shumë kanë marrë vlerësime e komplimente nga juria, të tjerë janë duartrokitur nga publiku, por fituesi ende nuk dihet.

Veçse, ata të dy janë gjithmonë një hap para të gjithëve. Donaldi dhe Romeo, dy binjakët karizmatikë të këtij edicioni, pak para se të ngjiten në skenë, në një prononcim për revistën Class, thanë se e dinë kush do ta fitojë edicionin e pestë.

Ne sot do ta fitojmë”, – thotë Romeo dhe është i bindur për këtë, ndërsa Donaldi, më skeptik, thotë se: “Nuk e fitojmë ne, do ta fitojë dikush tjetër”, por Romeo nuk është aspak dakord me vëllanë: “Ore, ne do ta fitojmë, lëre çfarë thotë ky…” -  shton ai më tej me bindje, por kur shikon që i vëllai nuk e ka me shumë qejf fitoren, ndryshon mendje: “Do ta pyes edhe Donaldin dhe nëse vendosim ta fitojmë, do ta fitojmë…”

Përtej humorit që bëjnë, dy vëllezërit Veshaj kanë qenë ndër personazhet më të disiplinuar të këtij edicioni, aq sa këtë ua ka vënë në dukje shpeshherë edhe juria dhe kryetari i saj, Kledi Kadiu. Fitojnë ose jo, për ta, me siguri nuk është aq shumë me rëndësi, krahasuar me vëmendjen maksimale të publikut që e fituan pa përpjekjen më të vogël.