Mbrëmja finale e Dance With Me s’mund të mbyllej me një surprizë më të bukur se prania e ikonës së televizionit italian para publikut shqiptar. Paola Perego, e ftuara speciale e natës së sotme, erdhi si e ftuar menjëherë pasi foli me vlerësime të larta për popullin shqiptar në emisionin “Maurizio Constanzo Show”.

Vetëm pak javë më parë, prezantuesja italiane, e ftuar në emisionin “Maurizio Constanzo Show”, listoi disa vlerësime për Tv Klan, produksionet e tij, si edhe për ato programe me producente Alketa Vejsiun: “Ata bëjnë televizion të nivelit të lartë. Unë kam vizituar studiot televizive në Tiranë dhe janë shumë të bukura. Kam takuar Alketën, e cila është një prezantuese shumë e famshme dhe bën programet e Bonolis në Tiranë si “Piter Pan,” është shumë e talentuar. Tani e kam edhe mike. Unë ndoqa nga afër edhe regjistrimin e emisioneve dhe janë me të vërtetë shumë moderne”, – është shprehur moderatorja Paola Perego në emisionin “Maurizio Constanzo Show”.

“Herën e parë që erdha në Shqipëri u kënaqa shumë, e ndjeva veten shumë mirë, ndaj mendoj se do të vij sërish”, – tha Paola duke shtuar se populli shqiptar është një popull mikpritës dhe shumë bujar.  Pas kësaj, Alketa shtoi se Tv Klan dhe produksionet e tij kanë disa plane shqiptaro-italiane që do të bëhen konkrete kur të jetë koha e duhur.

Sonte, nga skena e DWM, Paola ndau me publikun shqiptar edhe një herë vlerësimet e saj për popullin tonë, rrëfeu marrëdhënien që ka me mediat sociale, vitet e gjata në ekran, eksperiencat e panumërta televizive, si edhe momentet e sikletshme si ai me Presidentin Andreoti kur ishte i ftuar në studion e saj.

Mes shumë vlerësimeve e rrëfimeve profesionale e personale, Paola u vu edhe përballë një loje me Alketa Vejsiun. Kjo e fundit kishte zgjedhur disa prej fjalëve më të vështira në shqip që Paola duhet t’i shqiptonte. Një pjesë të mirë të tyre, ajo i shqiptoi shumë mirë, ashtu sikurse për një pjesë tjetër nuk ia doli dot.

Ama, sapo hyri në skenën e DWM, ishte e përgatitur për të përshëndetur në shqip: “Mirëmbrëma! Sa mirë që jam këtu. Ju dua shumë. Faleminderit!”