Plot 14 javë kërcim, spektakël dhe emocione të gjalla janë mbyllur mbrëmjen e sotme në edicionin e 5-të të DWM me çiftin fitues Eni Jani dhe Genc Fuga. Çifti i bashkëshortëve, çdo javë kanë treguar përkushtim maksimal në skenë duke surprizuar publikun me performanca të jashtëzakonshme.

Që nga 17 shtatori, plot 3 muaj kërcim, natën e sotme, të gjithë e kishin të vështirë të përcaktonin se kush ishin balerinët dhe kush personazhet e njohur. Bashkë me trupën e baletit, të gjithë VIP-at u ushtruan javë pas jave për të arritur deri në natën fituese nga e cila vetëm një do të ishte fituesi.

Pas një dueli me njëri-tjetrin, tre çiftet që u hodhën në votim ishin Roberti me Leilën, Monika me Donaldin dhe Eni me Gencin. Pas vlerësime të jurisë, konkurrentët kërcyen edhe një herë tjetër për publikun dhe më pas, votimi zgjodhi çiftin fitues.

E gjithë mbrëmja e gjatë e kësaj finaleje kishte rezervuar shumë surpriza. Sapo u ndezën dritat e skenës, në vendin e jurisë ishin ulur tre fëmijët e Piter Panit si për t’i zënë vendin jurisë së vërtetë.

E ftuara speciale e mbrëmjes, moderatorja e njohur italiane, Paola Perego, ndau me publikun shqiptar një pjesë të eksperiencës së saj të gjatë në ekran, si edhe shprehu dashamirësinë për popullin shqiptar dhe virtytet që e karakterizojnë atë.