Është e vështirë edhe për ndjekësit e Revistës Class të votojnë për këngëtaren e vitit, pasi shumë nga artistet shqiptare kanë bërë muzikë të mirë këtë vit. Mirëpo, gjithmonë është dikush që triumfon dhe del fituese.
Nga 6724 votues, në sondazhin e revistës Class, me 29 për qind të votave, fituese shpallet Filloreta Raçi (Fifi). Fifi në fakt bëri shumë bujë në Këngën Magjike ku u rendit e treta me këngën “Psikopatja jote” në bashkëpunim me Mc Kreshën. Mirëpo, nuk mbaron me kaq. Në këtë festival të rëndësishëm, Fifi ishte edhe tekstshkruese e disa prej këngëve që fituan çmime të rëndësishme. Ky pa dyshim që ka qenë viti i Fifit.
Për t’u rikthyer tek votimi, në vend të dytë renditet “Mikja” Elvana Gjata. Ka bërë shumë hite këtë vit duke u rikthyer fuqishëm në tregun shqiptar. Me një diferencë jo shumë të madhe nga Fifi, Elvana ka arritur të grumbollojë 24 për qind të votave.
Ndërsa në vend të tretë është “Zjarri” Dafina Zeqiri. Me 11 për qind të votave, edhe ky rikthim i saj në skenat shqiptare ka rezultuar i suksesshëm për yllin nga Kosova. Dafina “la” Amerikën dhe u zhvendos gjatë këtij viti sërish në Kosovë, pranë fansave të saj më të zjarrtë.