Hailey Baldwin, ose siç quhet tani Hailey Bieber e ka nisur këtë vit duke u hapur për pasiguritë e saj dhe duke dhënë një mesazh për të gjitha vajzat. Modelja e njohur ka publikuar një shkrim në Instagram, ku si anjëherë tjetër flet rreth vuajtjeve të saj, rreth gjërave që e mundojnë dhe tregon se pavarësisht se jeta e saj mund të duket perfekte, nuk është. Si çdo njeri ajo ka dobësi dhe vuan. Mendon se nuk është e mirë aq sa duhet dhe ka pasiguri për çdo gjë; për pamjen e saj dhe për atë që është.
“Dua ta filloj këtë vit duke u treguar më e hapur. Dua të hapem për gjërat që më bëjnë të vuaj. Jam 22 vjeçe dhe e vërteta është se pavarësisht sa e mrekullueshme mund të duket jeta ime nga jashtë, unë vuaj. Jam e pasigurt, jam e brishtë, jam e lënduar, kam frikëra, kam dyshime, kam ankth, mërzitem, inatosem. E gjej shpesh veten në Instagram duke krahasuar pamjen time dhe ndihem sikur nuk jam e mirë mjaftueshëm, ndihem sikur më mungojnë shumë gjëra dhe e kam shumë të vështirë të kem vetëbesim, sepse më duket sikur nuk jam e mirë sa duhet.
Çdo ditë është një betejë vetëbesimi për mua. Nuk po e shkruaj këtë për simpati apo për keqardhje, por thjesht për t`ju thënë që unë jam njeri. Jam një vajzë e re, që po mësoj kush jam dhe është shumë e vështirë. Është e vështirë të kuptosh kush je, por edhe më e vështirë është të krahasohesh me vajza të tjera, ndërkohë që mundohesh ta bësh këtë. Ka ditë që ndihem e pafuqishme për shkak të kësaj gjëje.
Do të ishte shumë mirë sikur vajzat të ndihmonin njëra-tjetrën dhe jo t`i bënin të ndiheshin të paafta. Ne të gjithë kemi dobësi dhe kjo nuk ka për të ndryshuar kurrë. Ajo që unë di është se Zoti na bëri individë për një arsye, me bukurinë tonë, personalitetin tonë dhe historinë tonë, pasi ka një plan dhe qëllim për gjithsecilin dhe Ai nuk gabon! Kështu që këtë vit, unë do të bëj më të mirën që të jem vetvetja dhe të kem besim në atë që jam, sepse jam mjaftueshëm dhe kam dashuri, dhe kur ke dashuri, je mjaftueshëm”, -ka shkruar Hailey.
Duke qenë një njeri i njohur dhe me miliona njerëz që e ndjekin, modelja ka dashur që të tregojë anën e panjohur të saj, atë që shumë pak njerëz e dinë. Ka treguar që pavarësisht se jeta e dikujt mund t`ju duket perfekte duke e parë nga jashtë, asnjëherë nuk e dini çfarë ndien ai njeri përbrenda. Për më tepër, ka theksuar që vajzat e reja duhet ta ndihmojnë njëra-tjetrën dhe jo të theksojnë pasiguritë e të tjerave duke i bërë të ndihen të pasigurta. Është për t`u duartrokitur ky mesazh që vjen nga një modele e njohur, që vlen për çdo vajzë në këtë botë dhe u jep kurajo atyre që ndodhen në të njëjtën situatë.