Bieta Sulo e kishte parë çiftin e ri të showbiz-it orëve të vona në Tiranë, por nuk mendoi aspak për keq
Marsela dhe Vitmar, një dashur e fshehtë

Vitmar Basha dhe Marsela Çibukaj, dy artistët e muzikës shqiptare, kanë vetëm pak kohë që e kanë zbuluar dashurinë e tyre edhe publikisht. Kanë disa kohë që frekuentohen, por e kanë ruajtur dashurinë për vete. Derisa erdhi koha që Vitmari e pati të vështirë ta fshehë njeriun që i kishte rrëmbyer zemrën dhe njeriun që kishte qenë muzë për albumin e tij të fundit “9”.

Çifti i ri i artistëve ishin sot të ftuar në Top Channel, në “Ftesë në 5” me Bieta Sulon dhe, veç projekteve të fundit në muzikë, rrëfyen më shumë edhe për historinë e tyre të dashurisë – ajo që lindi e u rrit përmes muzikës. Vitmar Basha, i edukuar në muzikë, por jo vetëm, me një kulturë të theksuar italiane, gjeti te Marsela pothuaj të njëjtat shije muzikore. Edhe ajo, siç dihet, prej shumë vitesh jetoi e studioi në Itali, derisa erdhi në Tiranë për t’u bërë pjesë e “The Voice”, spektakli që do t’i ndryshonte të gjithë rrugëtimin artistik dhe atë jashtë tij.

Dukle rrëfyer si u bashkuan rrugët, Marsela dhe Vitmari zbuluan se njiheshin prej kohësh, por, si fillim, ishte një program muzikor në Top Channel, që moderohej nga Marsela, ai që e solli edhe Vitmarin në studio dhe pas tij, edhe mbrëmjet live në klubet e njohura në Tiranë. Aq u desh që mes të rinjve të lindnin shkëndijat e para, derisa kuptuan se donin ta kishin njëri-tjetrin pranë vetes.

Në fakt, Bieta Sulo, gjatë intervistës, tregoi se ajo e kishte zbuluar më herët çiftin e këngëtarëve. Marsela, edhe pse mikeshë e Top Channel, e Top Magazine, por edhe e programeve të tjera të Top-it, as “anëtarëve të shtëpisë”, me sa duket, nuk u kishte rrëfyer: “Në fakt, unë kur ju kam kam parë bashkë për herë të parë, nuk mendova aspak për keq, të them të drejtën… Mendova shokë… Megjithëse, tani që e mendoj, ora nuk e justifikonte shumë këtë fakt…” – i tha Bieta çiftit me të qeshur, si për ta konfirmuar se as ajo nuk kishte ditur gjë për Marselën dhe Vitamrin, derisa ata të dy e pranuan publikisht.

Tani, muzika, por jo vetëm ajo, i ka afruar më shumë Vitmarin dhe Marselën. Ai, në albumin e tij të fundit, shkroi “Marselës”, ia dedikoi asaj të gjithë krijimtarinë e 9 muajve të fundit, njëlloj si të një fëmije që është ngjizur me dashuri. Ky album dhe dedikimi i tij është dhurata më e bukur për Marselën. Për këtë Shën Valentin dhe për shumë të tjerë që do të vijnë për të.



