Vajza e balerinit të njohur shqiptar në gjurmët e të atit, po bën namin në Itali
Një tjetër yll...

Një tjetër yll po i shtohet galaktikës së të famshmëve shqiptarë që po na bëjnë të ndihemi çdo ditë e më shumë krenar për origjinën tonë! Në fillim ishte i ati i saj, balerini dhe koregorafi i njohur Ilir Shaqiri, i cili me angazhimet dhe debutimet e tij të ndryshme artistike në spektaklet në Itali, u kthye në një nga figurat më të dashura për publikun atje.

Tani është radha e vajzës së tij, Emily Shaqirit! Ajo artin e ka në ADN-në e saj, sepse është rritur në një familje ku hapat e parë të kërcimit i ka mësuar nga i ati profesionist dhe më pas falë talentit, por edhe përkushtimit, ajo po kthehet sot në një artiste premtuese të gjeneratës së re. Si protagonistja e grupit "Miracle Tunes", Emily po shijon sukseset e momentit pas çdo dalje publike, pasi seritë e këtij grupi artistik po shfaqen edhe në Mediaset.

Emily në këtë seri televizive luan rolin e një luftëtareje, e cila synon të shpëtojë botën nga e keqja dhe ligësitë përmes kërcimit, këngës dhe muzikës. Për ta realizuar këtë mision, Emily bashkë me dy pjesëtaret e tjera të grupit përdorin fuqinë e gurëve të çmuar të muzikës.

"Miracle Tunes" ka krijuar mijëra fansa në radhët e adoleshentëve dhe të rriturve në Itali dhe Evropë, që prej ditës së parë kur ato u shfaqën në transmetimet televizive në Itali.
Ne i urojmë shumë suksese Emily-t!



