Reagimi i bashkëshortit të Zaiminës kur mësoi gjininë e fëmijës është tipik shqiptar
Baba çuni

Jo vetëm që e kishte bindur veten se ai dhe Zaimina do të bëheshin prindër të një djali, por Klodi e kishte përhapur lajmin edhe në shoqëri. Madje, disa prej miqve të tij, pasi mësuan lajmin e pritjes së ëmbël, nisën ta uronin “urime për djalin”, ndonëse ende nuk ishte mësuar gjinia.
Tipik shqiptar është reagimi i Klodit kur mësoi se partnerja e tij do të sillte në jetë një vajzë. Zaimina, me humor, tregoi sot nga studio e “Rudina” se ajo u gëzua shumë kur mësoi se do të ishte nënë e një vajze, por Klodi u mërzit: “Unë u gëzova shumë, por Klodi u mërzit pak, sepse e kishte bindur veten që do bëhemi prindër të një djali, madje edhe shoqërinë e kishte bindur me idenë e djalit. Më ndodhi që kur takoja shokët e Klodit, më thoshin “urime për çunin”, ndërkohë që ne akoma nuk e kishim mësuar gjininë”, – tregoi Zaimina.

Me siguri, tani Klodi është shumë i lidhur me të bijën, siç janë të gjithë baballarët me vajzat. Siç rrëfeu Zaimina, po u shijon shumë privatësia në një vilë larg zhurmës metropolitane, ndaj ndihen më të qetë edhe larg syve kureshtarë: “Të ndryshon jeta komplet, por dashuria kur bëhesh nënë bëhet edhe më e madhe, jeta të merr ngjyra të tjera. Kur kam Khloe-n pranë, më ndryshon e gjithë bota. Është një ndjesi që nuk mundesh ta përshkruash me fjalë”, – shton Zaimina.

Jo më kot, i përgjigjet menjëherë pyetjes nëse kanë në planet e afërta fëmijë të tjerë: “Po, po, pooo. Kam thënë gjithmonë që i dua shumë fëmijët dhe e dua familjen me shumë pjesëtarë. Tani më vjen keq që nuk jam bërë nënë më herët. Mendoj se jam treguar egoiste, sepse mendoja se nuk do kisha më kohë për veten, për punën, por nuk e dija që vajza që do sillte një ndryshim kaq të bukur. S’paska gjë më të bukur, kështu që do e provoj prapë. Nuk jam vonë…”



