
Policia ka shpallur në kërkim Klodian Banen, në lidhje me vrasjen e Jurgen Kurtit. 38 vjeçari nga Patosi, dyshohet se është pikërisht personi që ka qëlluar mbi Kurtin mbrëmjen e 18 marsit, duke e lënë të vdekur në hyrje të pallatit ku viktima banonte.

Një ditë më parë policia vuri në pranga tre persona si bashkëpunëtorë të Banes në kryerjen e vrasjes. Elsi Levendi, 21 vjeç, lindur në Athinë/Greqi dhe banues në Tiranë; Alesio Berberi, 33 vjeç, lindur në Patos dhe banues në Patos, Fier; Olsi Qalliu, 22 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Patos.


Atyre iu janë sekuestruar një armë zjarri “Pistoletë TT”, fishekë luftarak, një automjet që u ka shërbyer autorëve për t’u larguar pas kryerjes së ngjarjes, një sasi e vogël lënde narkotike, 2470 Euro dhe lekë shqiptare, si dhe dy makina luksoze. Arma, makina dhe sendet e tjera të sekuestruara nga policia janë gjetur në banesën e Alesio Berberit. Të tre të arrestuarit kanë mbajtur qëndrim mohues para policisë se nuk janë ata personat që vranë Jurgen Kurtin, ndërkohë që Policia tashmë ka versionin zyrtar të ngjarjes dhe të dyshuarin kryesor si personin që ka shkrepur armën në drejtim të të ndjerit Kurti, duke e lënë atë të vdekur në vend.
