E ndërtuar para 856 viteve, Katedralja e Parisit, simboli i këtij qyteti, është përfshirë mbrëmë nga flakët, duke marrë me vete një pjesë të rëndësishme të historisë së Francës. Muza e literaturës së Victor Hugo, u shkrumbua nga zjarri, duke lënë pas shumë trishtim tek francezët, por edhe tek të gjithë turistët që e vizituan të paktën një herë Zonjën e Parisit. Mirëpo, çfarë dimë për këtë Katedrale kaq të rëndësishme, që trishtoi miliona njerëz që panë live se si digjej një nga kryeveprat e Parisit:

1. Katedralja është monumenti më i vizituar në Paris

Franca është ndër vendet më të vizituara në botë. Çuditërisht, monumenti më i vizituar nuk është Kulla Eifel. Nëse Disneyland Paris është destinacioni turistik më i vizituar në Francë, Katedralja e Notre-Dame është monumenti më i vizituar brenda kufijve të kryeqytetit. Më shumë se 13 milionë turistë e vizitojnë Notre Dame çdo vit. Kjo do të thotë se Katedralja mirëpret rreth 35 mijë vizitorë në ditë! Në Francë, 99% e qyteteve kanë një popullsi më të vogël se kjo shifër.

2. Katedralja është ndërtuar në një vend të shenjtë

Notre-Dame de Paris është ndërtuar në qendër të Parisit. Është mjaft e vështirë të imagjinohet Parisi pa katedralen e Notre-Dame. Katedralja është pjesë e Parisit që nga shekulli i 12-të.

3. Katedralja u shpëtua nga Kuasimodo

Pas revolucionit francez, Notre Dame de Paris u dëmtua shumë. Disa statuja u shkatërruan dhe këmbanat ishin shkrirë. Në shekullin e 19-të, ato ishin në gjendje shumë të degraduar dhe Katedralja ra pothuajse në harresë. Në vitin 1831, kryevepra e Victor Hugo, risolli në vëmendje kishën e harruar gjatë viteve. Interesi popullor u shtua dhe dëshira e madhe për ta ruajtur e çuan në rinovimet masive të drejtuara nga nga Viollet-le-Duc në mesin e shekullit të 19-të, duke e ruajtur këtë xhevahir të artit gotik.

4. Katedralja është shtëpia e një "pylli"

Notre-Dame de Paris është 127 metra (gjatësi) me 48 metra (gjerësi). Struktura e saj ka qenë e përbërë kryesisht prej druri dhe që daton që nga shekulli i 12-të. Për ta realizuar janë dashur më shumë se 1300 pemë.

5. Kullat nuk janë binjake

Në pamje të parë, dy kullat e Notre-Dame duken si binjake. Ekzaminimi më i afërt tregon se kulla e veriut është më e madhe se ajo e jugut.

6. Katedralja e Parisit u ndërtua për 200 vjet

Ndërtimi i katedrales zgjati pothuajse 200 vjet, pothuajse për aq kohë sa gjithë periudha gotike, dhe shumica do të pajtohen se është një nga shembujt më të rëndësishëm të stilit gotik në botë.