Siç është bërë traditë me votimet vitet e fundit, fituesi i festivalit europian të këngës zgjidhet 50 për qind nga votat e publikut dhe 50 për qind nga një grup profesionistësh të njohur në industrinë muzikore.

Si çdo vit, edhe nga Shqipëria do të ketë një juri përfaqësuese, e cila do të japë votat e saj për këngët e Eurovisionit. Vetëm pak minuta më parë, faqja zyrtare e festivalit ka zbuluar jurinë shqiptare që do të gjykojë këngët pjesëmarrë në këtë edicion të Eurosongut.

Cilët janë anëtarët e jurisë shqiptare?

Vikena Kamenica

Këngëtarja dhe mezzo-soprano e njohur e skenave, ka qenë shpesh e ulur edhe në karrigen e jurisë sa u përket garave muzikore për fëmijë e të rritur.

Eranda Libohova

Këngëtare që numëron dekada në skenat muzikore dhe një prej artisteve që kanë lënë gjurmë në muzikën e lehtë me hitet e saj të papërsëritshme.

Dilan Reka

Një këngëtar i ri që pasionin dhe rrugën për muzikën e nisi nga skena e X Factor, por shpejt spikati në tregun muzikor për stilin dhe origjinalitetin me të cilin e ka prezantuar veten në disa projekte muzikore.

Gent Rushi

Muzikant i njohur dhe pedagog, pas të cilit komentet për muzikën janë të tepërta. Vlerësimi objektiv, pa doreza për atë që “bën” ose “nuk bën” në muzikë, është i padiskutueshëm nëse bie në dorë të Gentit.

Julka Gramo

Këngëtarja dhe moderatorja e njohur mbahet mend nga të gjithë bashkëmoshatarët e saj, por edhe nga brezi më i ri për tendencën dhe frymën e re që prezantoi në muzikën shqiptare atëherë kur jo të gjithë guxonin.

Anxhela Peristeri

Një këngëtare origjinale që vështirë ta ngatërrosh me tjetër. Shpesheherë, është prezantuar edhe si autore tekstesh në këngët e saj. Së fundi, Anxhela Peristeri ka prezantuar disa këngë të reja, si edhe realizoi një koncert recital “Reflektim.”