Meqenëse natyra e punës së Manjolës nuk është e lidhur ngushtë me mbrëmjet live apo koncertet e njëpashnjëshme brenda dhe jashtë vendit, kishte ardhur koha që për këngëtaren e njohur të skenës të organizohej një recital me repertorin e saj më të mirë, që nga këngët e para të viteve ’90 e deri më sot, kur artistja numëron plot 30 vite karrierë: “Vendosa një ditë të bukur vere, thashë përse të mos bëj një koncert? Mendoj se është pjekur edhe repertori. Duke qenë se unë punoj në Akademinë e Arteve dhe nuk jap koncerte live nëpër qytet, erdhi një moment për të bërë një koncert me repertorin tim, është tjetër komunikim me publikun.”

16 maji është vetëm disa ditë larg dhe Manjola ka pothuajse gjithçka gati për koncertin që e ka titulluar “Një jetë me ty”. Skena e Katedrales Ortodokse në Tiranë, prej disa ditësh është e mbushur plot me artistë e muzikantë, të cilët po kujdesen që në koncertin e Manjolës të mos mungojë asgjë.

Megjithatë, vetë këngëtarja po merret me gjithçka, që nga repertori e deri te gjërat më të vogla të skenës, biletat e vendet ku do të ulen të ftuarit. Por është shumë e lumtur që, më në fund, arriti t’i bëjë bashkë të gjithë elementët që i duhen një recitali të këtyre përmasave.

E ftuar pasditen e sotme në “Rudina” në Tv Klan, Manjola zbuloi shumë detaje nga koncerti. Së bashku me një orkestër profesionistësh dhe drejtuesin e saj, Elton Deda, këngëtarja tha se do të sjellë për të gjithë dashamirësit e muzikës së saj shumë këngë të njohura të repertorit të saj, por njëkohësisht, edhe disa krijime të reja, të cilat ajo i ka në bashkëpunim me kolegë e miq të vjetër të saj.

"Koncerti është konceptuar të ketë disa nga këngët mia më të njohura në vite, do ketë edhe muzikë të re, këngë popullore dhe 2-3 materiale operistike. Do të jetë koncert i larmishëm. Jam përpjekur të punoj me ata që unë i konsideroj më të mirët. Koncerti do të jetë i gjithi live nën shoqërimin e disa prej muzikantëve më të mirë shqiptarë, nën drejtimin e Elton Dedës. Do të jenë të ftuar disa prej këngëtarëve më të mirë të muzikës shqiptare, të cilët janë miq të çmuar të jetës time si Eli Fara, Aurela Gaçe, Kastriot Tusha, Shkëlzen Jetishi po ashtu edhe pianisti Egland Hasa. Po ashtu do të ketë edhe momente humori nga ish-studenti im Rezart Veleshnja…”, – tha Manjola.

Surprizë për publikun do të jenë disa krijime të reja, si edhe një bashkëpunim me dy mikeshat e saj, Aurela Gaçe dhe Eli Fara. Siç tha këngëtarja, me Aurelën dhe Elin, nuk ka pasur rastin më herët të bashkëpunojë, kështu që ky koncert do të shënojë një kujtim shumë të bukur dhe një bashkëpunim të pazakontë për të tria artistet e njohura të skenës.