Si pothuaj të gjitha vajzat, edhe Silva Gunbardhi ka pasur një marrëdhënie shumë të ngushtë me të atin. Ndonëse nuk ka folur më herët publikisht për lidhjen me babanë e saj të ndjerë, sot këngëtarja nga Vlora kishte një arsye të fortë. E ftuar në “Rudina” në Tv Klan, Silva prezantoi këngën e re të titulluar “Babai” dhe bashkë me të rrëfeu për marrëdhënien e veçantë dhe disa prej kujtimeve që i ati i ka lënë të pashlyeshme, pavarësisht viteve që kanë kaluar…

Marrëdhënia ime me babanë ka qenë shumë e ngushtë. Babai ka qenë shoku im i parë, ka qenë një figurë autoritare, por edhe shumë e butë. Babai im ende gëzon reputacion ende në qytetin e Vlorës, në vendin ku ka punuar dhe kjo e bënte atë autoritar në sytë e mi, por edhe shembull për t’u ndjekur. Ne në Vlorë kemi pasur një shtëpi shumë të vjetër, çfarë binte jashtë, binte brenda. Nuk kam për ta harruar momentin kur babai im ishte në momentet e fundit të jetës dhe ishte i shtrirë në një krevat që unë e kisha blerë me rrogën time të parë kur punoja në teatrin “Petro Marko”.

Duke qenë se ai kishte probleme me shtyllën kurrizore, sepse qëndronte shtrirë, i thashë të flinte në atë krevat. Iu bë qejfi, por nuk më tha po në moment. Kur u shtri aty, pashë në sytë e tij sikur u lehtësua. Nuk e harroj kurrë vështrimin e tij…” – rrëfeu këngëtarja e përlotur.

Siç tregoi Silva më tej, koha kur ajo ishte ende fëmijë kishte qenë e vështirë në familjen e tyre: “Në atë kohë nuk kishim shumë mundësi, por kemi qenë familje që gëzonim respekt dhe këtë e kam vlerësuar. Babai na ka rritur me shembull shumë të mirë, respektin nuk e bën paraja. Kujtoj shëtitjet me motor me babanë tim. Ai më ka mësuar të mos kem frikë. Mbaj mend që kur unë nuk merrja nota të mira, ai mërzitej. Pasi humbëm babanë, unë nëna dhe vëllai im u zhvendosëm në Tiranë”,- tha këngëtarja.

Pas kujtimeve të trishta dhe mallit për të atin, Silva tha se kjo këngë e re është himn jo vetëm për babanë e saj, por për të gjithë fëmijët që u ndjejnë mungesën etërve të tyre.