Përtej ideve në të veshur, sot vendosa të ndaj me ju disa këshilla që i mbaj parasysh gjithmonë kur bëj pazar.

Të bësh shopping të moderuar (pa shpenzuar tepër) nuk është edhe aq e lehtë, sepse, nëse do të ishte, asnjë nuk do të shqetësohej  për veshjen në një rast specifik. Do të mjaftoheshim të gjithë me ato veshje që kemi dhe të gjithë do të ishim të qetë e në paqe. Në fakt, të dukurit bukur është një proces që ndryshon bashkë me ne e na bën të gjithëve të ndihemi më mirë, ta përfaqësojmë veten sa më mirë kudo e më këdo që jemi, si edhe të shfaqim një pjesë të personalitetit tonë në veshje.

Veshja flet shumë për secilin nga ne, megjithatë sa herë duam të blejmë diçka të re, duhet të kemi parasysh disa “rregulla” bazë, të cilat na ndihmojnë për t’i zgjedhur më mirë, me cilësi, dhe mbi të gjitha, me pak shpenzime.  

1.Listo

Të paktën një ose dy ditë para se të kem vendosur të dal për shopping të mirëfilltë, unë shkruaj në një letër gjërat kryesore që më duhen p.sh; tuta/xhinse, atlete, të brendshme, bluza pambuku etj. Më pas, nëse kam diçka më specifike, i cilësoj (shembull); xhinse ngjyrë të errët dhe tipi boyfriend, atlete për palestër ose atlete lifestyle, bluzë pambuku sportive. Kështu e kam më të lehtë të kërkoj dhe nuk shpërqëndrohem nga gjërat e tjera që, në fakt, nuk më duhen në këtë moment.

2. Njih stilin tënd

Stili është diçka që të gjithë e kemi, ajo çfarë na duhet është ta gjejmë. Krijo stilin tënd, i cili duhet të jetë unik për ty dhe i identifikueshëm nga të tjerët. Unë mund të them që jam një stil klasik në të veshur dhe më pëlqejnë veshjet me ngjyra, femërore dhe vintage. Duke e ditur çfarë pëlqej dhe çfarë më shkon më shumë për shtat, gjithmonë e di se çfarë kërkoj, sepse ‘të ndjekësh modën’ nuk do të thotë vetëm të vishesh me trendet e fundit të çdo stilisti, por të vishesh siç të shkon dhe të dish të investosh për stilin tënd.

3. Kurse

Të gjithë ata që pëlqejnë modën dhe të veshurit bukur, e dinë se sa terapi e mirë është shopping-u, por nga ana tjetër, shpenzimet janë të pafundme. Zgjidhja që kam gjetur unë, është kursimi i parave çdo javë dhe shfrytëzimi i uljeve. Duke kursyer nga paga një shumë të vogël çdo javë, kur vijnë uljet, gjithmonë e gjej veten të kem para mjaftueshëm për të blerë gjërat e nevojshme ose dhe ndonjë gjë extra. Do t’ju sugjeroja që, pasi keni kursyer diçka, gjithmonë të blini rroba në periudhën e uljeve të sezonit. Zakonisht, unë i blej rrobat e verës në sezonin e dimrit dhe anasjellas, dhe kjo ka funksionuar si mos më mirë! Janë me mbi 50 për qind ulje.

4. Mos bli vetëm për një rast

Rregulli im nr. 1 është të mos blej një veshje vetëm për një rast të caktuar. Nëse keni një rast (përjashtoj dasmat) dhe ju duhen vetëm një palë këpucë ose një veshje, gjithmonë mundohuni që atë veshje ose ato këpucë t’i merni të kombinueshme edhe me diçka tjetër që ju ndodhet në gardërobë, në mënyrë që t’i shfrytëzoni dhe të mos i vishni vetëm një herë, ndryshe është shpenzim i kotë.

5. Bli pak dhe zgjidh mirë

Kur bëj shopping gjithmonë, mundohem të kombinoj një palë pantallona me 3 bluza, ose nje palë këpucë me 3 veshje ose 3 fustane dhe mundohem që elementët që zgjedh t’i vesh edhe me gjëra të tjera që kam në dollap. Nëse do të blija një bluzë që më pëlqen shumë, por e cila më shkon vetëm me një element në gardërobën time dhe asgjë tjetër, do sigurohesha që të kisha para ekstra për të, ndryshe kam shpenzuar për ta veshur vetëm një herë. Kjo, në të vërtetë!

Nëse jeni duke menduar të blini rroba për pushimet verore që po afrojnë, sigurohuni që ato rroba t’i vishni edhe pas pushimeve. Zakonisht, priremi që për pushimet verore, të blejmë rroba ndryshe nga përditshmëria jonë ose ndoshta pak më të shkurtra ose më ekstravagante, duke qenë se plazhi të lejon të eksperimentosh pak në stil dhe veshje, por unë mendoj që do ishte edhe më mirë që t’i zgjidhnim me kujdes veshjet e të kemi mundësi t’i veshim edhe pas pushimeve. Në fund dalim edhe më të fituar!