Janë një çift shumë i bukur, por sa herë marrin të tilla komplimente, ministri Klosi, si bashkëshort kavalier, nuk e pranon këtë kompliment: “Nora është e bukur, ajo e zbukuron fotografinë…” – thotë si për t’ia lënë meritën bashkëshortes, Nora Klosi.

Edhe sot, pas më shumë se 10 vitesh bashkë, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, e ndien veten me fat për bashkëshorten dhe për dy fëmijët, Aroni dhe Ambla. Djali pothuaj 9-vjeçar, ndërsa vajza 7-vjeçare janë bekimi më i madh i çiftit Klosi, por ministri, si shumë kolegë të tij të politikës apo edhe jashtë saj, pengun më të madh ka kohën e kufizuar me fëmijët dhe keqardhjen për mungesën e gjatë gjatë rritjes së tyre.

Megjithatë, familja Klosi e ka një ditë të gjithën për vete. E diela quhet ndryshe “dita e babit”, nëse të gjitha të tjerat janë të mamit. Dhe atë ditë janë të katërt bashkë, gjithë ditën bashkë…

I ftuar sot në “Rudina”, ministri Klosi ndau me publikun një pjesë të projekteve që ministria e tij promovon në fillim të sezonit të verës, por gjithashtu rrëfeu edhe për detaje të jetës private. Duke u kthyer pas në kohë, pas disa fotove që iu shfaqën në ekran, Blendit iu rikthyen kujtimet e dy dasmave, por sidomos e asaj të dytës, në të cilën ai dhe Nora i thanë “Po” përgjithmonë njëri-tjetrit.

“Unë kam pasur shumë emocione ditën e dasmës, isha qull në djersë dhe vajza që po na ndihmonte me dasmën atë ditë, më thoshte: “Qetësohu se nuk do të të gjejë gjë. Ne bëmë dy dasma, njëra me shoqërinë, me shumë njerëz të ftuar, qejf shumë i madh dhe një party festiv shumë i bukur, ishte ditë e bukur shumë. Dasma e dytë, si më zyrtare, ku u bë edhe ceremonia e celebrimit, ishte emocion i madh dhe dukej sikur realisht a do ndodhte gjëja apo jo…

“Ka dashur perëndia që të kalojmë shumë mirë këto vite dhe të jemi shokë shumë të mirë me Norën. Të dy e kuptojmë edhe pjesën e orareve dhe pjesën e familjes. Norën e ka mësuar televizioni që të jetë me orë të zgjatura, kur nuk dihet se kur mbaron regjistrimi apo aktiviteti në televizion”, – tha Klosi, por asgjë nuk i pengon për të qenë gjithmonë bashkë dhe për të shijuar pjesën tjetër pas punës me fëmijët e ëmbël.