Një nga emrat më të rëndësishëm të regjisë në vend, por sidomos në Top Channel për shkak të angazhimit gati 20-vjeçar në këtë televizion ka dhënë dorëheqjen! Sipas burimeve të Imalbania, regjisori Ergys Lubonja ka vendosur të largohet nga ky televizion pas debateve me drejtuesit, çka ka çuar në marrjen e vendimit drastik.

Kujtojmë këtu, që angazhimi i tij ndër vite, ka qenë në emisionet më të suksesshme dhe më të rëndësishme të Top Channel, si "Big Brother”, “The Voice”, “Top Fest”, “Top Awards”, e së fundmi atij i ishte besuar edhe "Summer Fest", edicioni veror i argëtimit, mes muzikës, humorit, e performancave të ndryshme artistike që përgjatë gjithë sezonit veror organizohej në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Ishin përzgjedhur edhe prezantuesit madje: Nevina Shtylla dhe Flori Gjini. Pas një mungese katër vjeçare si duket ishte menduar rikthimi i këtij formati, por që zhvillimet e fundit kanë bërë që ai të anulohet plotësisht.

Fillimisht, u tha se gjithçka ishte mungesë fondesh dhe ky ishte shkaku i shtyrjes së edicionit veror, por siç duket arsyeja qenka tjetërkund! Largimi i papritur i regjisorit historik të Top Channel, vjen pak muaj përpara nisjes së sezonit të ri televiziv në shtator.

Ende nuk ka ndonjë reagim zyrtar nga ana e televizonit apo vetë regjisorit të njohur. Mbetet të presim për të parë se cilat do të jenë lëvizjet e rradhës!