
Ora shënon 11.30 p.m dhe unë po i shkruaj të dashurit tënd. Ok, jo domosdoshmërisht TY, personit që po e lexon këtë, por dikujt si ty. Një vajze që nuk e ka idenë më të vogël se çfarë fotosh po më dërgon i dashuri i saj në këto momente.
Po, pikërisht, e kuptove mire, unë jam “ajo Tjetra”.
Nuk jam e përdalë, edhe pse JU do të donit të më quanit kështu. Në të vërtetë, jam një njeri mjaft i mirë. Kam familje dhe miq që më duan, nuk i përshatem fare stereotipit të “asaj Tjetrës”. E keni parasysh, ato me një super Instagram, flokë gjithmonë të krehura, veshje firme dhe të kolme aty ku duhet.
Jo, jo, jo, më besoni, nuk jam aspak e tillë.
Nuk jam as e veçantë. Nuk jam më e bukur se ty, më e qeshur, më me humor apo më e mirë në shtrat. Nuk bëj “one night stand-e” dhe nuk dal natën me qëllim specifik për të sjellë dikë në shtëpi. Nuk jam as gjuetare pasurish. Jam shumë shumë e thjeshtë dhe shumë realiste.
E megjithatë, të pesta lidhjet e mia kanë qenë me meshkuj të lidhur.
Kam shoqe që nuk do të ishin kurrë ky person. Momentin që dëgjojnë se ai ka një të dashur, kaq ishte, avullojnë dhe e vendosin direkt në listën “jashtë qarkullimit”. Nuk e di pse unë jam ndryshe dhe tërhiqem vetëm nga ata që janë “të zënë”.
Një mik i ngushtë i imi mendon se kjo vjen për shkak se unë kam sindromën e "çështjes së të angazhuarit”. Teoria e tij është se, në qoftë se një djalë nuk është në dispozicion, ai është menjëherë tërheqës për mua, sepse unë e di se lidhja me të nuk do të më çojë realisht askund.
Terapeutisti që pashë për ca kohë thotë se e gjithë kjo ndodh për shkak të pasigurisë sime të rrënjosur thellë dhe nevojës për të pasur një personalitet të legjitimuar dhe shumë fjalë të tjera terapish që vetëm ata i dinë.
E kuptoj se çfarë do të thotë. Në fakt, kërkon ego dhe kurajë nga një mashkull për të tradhtuar të dashurën e tij. Edhe pse, unë personalisht mendoj se filmat dhe librat që i dua shumë kanë deformuar mendjen time dhe më kanë bërë të varur me idenë e një romance të madhe që duhet të kapërcejë të gjitha pengesat (TY në rastin konkret) para se të arrij “fundin e lumtur”.

Ajo që kurrë nuk pushoj së menduari është se sa shumë meshkuj janë kaq të gatshëm për të tradhtuar. Dhe nuk po flas për gjuetarët, po flas për meshkujt e thjeshtë, ata që e duan të dashurën e tyre, por me tundimin më të vogël bien pre e mëkatit.
Dhe përsëri, ndoshta është e thjeshtë, ndoshta njerëzit nuk janë bërë të jenë monogamë. Të paktën kjo është ajo që Eamon, piloti amerikan që kam takuar në një hotel të Amerikës së Jugut, i tha së dashurës së tij në FaceTime... pak para se ai ta pyeste nëse mund të flinte me mua. Sigurisht, ajo tha jo. Dhe prapë, sigurisht, ne "mëkatuam" gjithsesi.
Ajo që unë dua të bëj të qartë është se nuk kam dashur kurrë të lëndoj njeri. Mua, thjesht, më mungon ajo pjesë e trupit që duhet të ndiej keqardhje për Ty.
Nuk jam një person pa zemër. Bëj bamirësi, qaj dhe thërras nga dhimbja në humbjet familjare, nuk mund të duroj apo shoh një kafshë në vuajtje apo të frikësuar. Por ti? Ti nuk je e vërtetë për mua. Unë nuk të kam takuar. Nuk të njoh.
Dhe kjo më lejon të jem “ajo Tjetra” pa faj, vetëm e frustruar që nuk mund ta shoh atë më shumë, sepse sonte është duke u prezantuar me prindërit e tu apo të ka nxjerë në darkë për ditëlindje.
Ndoshta do të kishte qenë ndryshe, nëse do të isha unë e tradhtuara, por ja që nuk jam, prandaj dhe s’mund ta kuptoj dhimbjen që vjen me zbulimin e pabesisë.
Ndonjëherë mendoj se jam e mallkuar. Që kur tradhtova të dashurin në lidhjen time të parë serioze, herë pas here argëtohem me idenë se karma është ajo që ma bën të gjithë këtë dhe qesh me mua teksa më nxjerr para rruge vetëm meshkuj “të zënë”.
Duke lënë shakatë mënjanë, realiteti i të qenit “ajo Tjetra” është sa emocionues në fillim, aq dhe zhgënjyes dhe i tmerrshëm kur mendon se gjithmonë do të jesh zgjedhja e tij e dytë më e mirë, plotësuese, komplementare, por kurrë e para. Dhe kjo heq gjithë shkëlqimin.
Herët a vonë do të heq dorë nga ky ves, për të mirën time por, deri atëherë uroj i radhës mos të jetë pikërisht i dashuri yt.
Sepse nuk të kam faj, gjithsesi… Të paralajmërova!
Cosmopolitan UK
