Verë, gusht më saktë. Det, diell, plazh, qetësi, pushime….   

Sezoni i verës, i meziprituri nga të gjithë. Edhe nga televizionet, edhe nga njerëzit që punojnë aty. Në një kohë kur ne të tjerët kemi nisur të aludojmë për sezonin e ri, kush do të shkojë ku, të gjitha programet kanë marrë pushimet. Ata që e dinë ku e kanë vendin shtatorin e ardhshëm, gjithashtu janë pushim. Edhe “Ftesë në 5”, pas një sezoni të suksesshëm, po pushon qetësisht, pasi më në fund, karrigia e moderatores së tij do të ketë sërish të njëjtin emër në shtator: Bieta Sulo. 

E takojmë Bietën në verë, pas një sezoni të ngjeshur televiziv me emisionin e pasdites, por edhe pas impenjimit si anëtare e jurisë në programin rinor “Top Talent”. Një vit i gjatë me shumë punë dhe shumë përkushtim, jo vetëm për të vendosur një komunikim të ri të vetes me publikun (më të drejtpërdrejtë), por njëkohësisht edhe për të risjellë pranë ekranit të Top Channel një audiencë, e cila të qëndrojë aty dhe të ketë besim se “Ftesa” mbetet gjithmonë e hapur kurdo e për këdo. 

Rreth 200 programe të realizuara, qindra të ftuar, disa komodë e disa të tjerë më pak, Bietës i kanë dhënë më shumë motivim, më shumë sukses e më pak pasiguri. Natyrisht, ka ndodhur që edhe të jetë mërzitur ndonjëherë për gjërat që nuk shkojnë gjithmonë siç duhet, por ia ka dalë mbanë gjithmonë. Buzëqeshjen, armën e fortë të vetes, veç shumë të tjerave, nuk e ka harruar asnjëherë t’ia servirë pa kushte publikut dhe ta bëjë për vete pa e sforcuar. Jashtë kornizave, por fare e natyrshme, Bieta i ka bërë të gjithë të flasin në studion e saj, madje edhe ata që kanë ardhur për herë të parë dhe kanë rrëfyer në “Ftesë” historinë e jetës.

Nëse ekrani për të gjithë duket disi imponues, Bieta duket që nuk e ka pasur fare këtë ndjesi, sepse karakterizohet nga spontaniteti dhe kështu do që të jenë edhe të ftuarit e saj. Nëse nuk janë, atëherë ajo ia del t’i bëjë. Ndoshta këtu qëndron edhe një pjesë e sekretit dhe suksesit të saj, që njerëzit duan ta shohin sa më shpesh. Dhe nuk do të presin shumë gjatë, sepse edhe për një tjetër sezon drejtuesja dhe autorja e “Ftesë në 5” do të rikthehet në karrigen e saj. 

Për programin që numëron sot rreth 10 milion klikime në Youtube, për stabilitetin që ai i krijoi që në puntatat e para në ekran, për shikueshmërinë e cila gjeti, më në fund, ekuilibrin, por edhe për të gjitha prapaskenat e kësaj pune, Bieta rrëfehet në një intervistë ekskluzive në Class.

E lëmë pak menjëanë punën e shkojmë për pak kohë drejt detit, aty ku rrëfimi vjen natyrshëm dhe bëhet po aq i paqtë sa edhe pamja. Këtu, jo vetëm sepse është sezoni, por edhe sepse vajza nga Saranda e adhuron magjinë e tij. Dhe para tij nuk mund të mbash rezerva. Mes valëve, ujërave e erës përkëdhelëse, Bieta nis të zbulojë edhe shumë nga jeta jashtë ekranit, raportin me Albanin dhe jetën e re si nënë e një biri që nuk lë dy gur bashkë. Por është boshti rreth të cilit tani sillet e gjithë familja… 

Ke përfunduar me sukses një sezon të gjatë në “Ftesë në 5”. Si ishte kjo eksperiencë e re për ty?

Kam nisur eksperiencën e jetës, praktikisht. Besimi i emisionit të pasdites “Ftesë në 5”, erdhi (më në fund, pasi emri im ka qenë kandidat prej shumë kohësh për këtë natyrë programi) në një moment pjekurie profesionale, 13 vite gazetare në “Top Show”, pas një tërheqjeje për shkak të shtatzënisë, reflektimesh dhe përjetimesh të reja të miat. Pra, vjet, kur mora propozimin për emisionin nga drejtori i televizionit, Ben Blushi, isha në fazën për të hedhur një hap të ri profesional – mendoj se është fillimi i një rrugëtimi të ri dhe të gjatë, me të cilin unë sot ndihem e plotësuar dhe energjike për vijimin. 

Është e konfirmuar se edhe në shtator do të jesh sërish autore dhe drejtuese e këtij programi. A mendon se, më në fund, ky emision ka gjetur stabilitetin që i duhej?

Unë e kam gjetur veten. Modestisht mund të them se ora 5 e pasdites në Top Channel, konfirmohet që ka ecur shumë mirë në shikueshmëri, konfirmuar edhe nga shikueshmëria në Youtube. “Ftesë në 5” është emisioni më i ndjekur i këtij orari. Me këto rezultate ishte mëse e natyrshme vazhdimësia ime si autore dhe moderatore edhe për shtatorin që vjen, çka bëhet një garanci më tepër për stabilitetin dhe suksesin e televizionit edhe në këtë orar. 

Cila është intervista që të ka lënë më shumë mbresa në këta 10 muaj transmetimi të “Ftesë në 5”?

Mbi 200 emisione, më shumë se 600 të ftuar gjatë gjithë sezonit televiziv, e vështirë të veçosh.  Mund të cilësoj që kemi pasur të ftuar që kanë ardhur për herë të parë në televizion, siç ishte rasti i Liri Berishës, të ftuar që daljen e parë fare nëpër televizionet shqiptare e bënë në “Ftesë në 5”, siç ishte Egreis Gjergjani apo “Mbretëresha e këpucëve” siç njihet, aktualisht një sipërmarrëse që po njeh ngjitje në SHBA. Ka pasur, gjithashtu, shqiptarë të tjerë të suksesshëm jashtë që kanë dashur ta bëjnë të njohur veten e tyre për publikun shqiptar përmes Top Channel dhe një pjesë të mirë të ekskluziviteteve të lifestyle apo shoëbizz-it të Shqipërisë dhe Kosovës. 

A ka pasur ndonjë personazh për të cilin ke thënë me vete “Pse e ftova”?

Ajo që kam menduar ndonjëherë ka qenë “Ore, pse ka ardhur në emision xhanëm?” Arrij të kujtoj vetëm 2-3 raste (shumë pak, në fakt) që ky apo kjo e ftuar kanë qenë shumë, po shuuuumë të emocionuar, saqë është dashur të flas unë më shumë se vetë ata.

Po ndonjë personazh që e ke ftuar dhe nuk të ka ardhur ende?

Sigurisht që ka shumë, prandaj ka edhe sezone te tjera. Fakti që nuk erdhën, nuk është se nuk kanë dashur të vijnë tek unë, por nga angazhimet, planifikimet e menaxherëve se kur është koha më e mirë për të dalë në ekran, arsye që do t’i zhbëjnë sezonet e ardhshme. 

A të tremb konkurrenca, duke qenë se ora 5 në televizionet shqiptare ka shumë programe?

 “Tremb” është fjalë e madhe. Mund të them që më mban në formë dhe me këmbë në tokë në të njëjtën kohë, sepse asnjëherë nuk duhet neglizhuar konkurrenti dhe eksperienca që mbart për shkak të vijimësisë. Realisht, kur m’u besua vjet ky orar, ndjenja e vetme ishte kënaqësia. Këtë shtator kjo ndjenjë vjen e shumëfishuar.

Çfarë do të sjellësh ndryshe në sezonin e ri?

T’ia lemë shtatorit më mirë!  Për momentin, dua të theksoj se sezonin që lamë pas kemi bërë në “Ftesë në 5” shumë lëvizje nga formatet standarde: kemi dalë nga studio, duke e sjellë realitetin të paprekur; e kemi levizur skemën klasike të të pyeturit; më shumë buzëqeshje; biseda më të natyrshme dhe të lirshme; debate dhe tema që i interesojnë publikut në shtëpi, shoqëruar edhe me situata, sfida dhe lojëra të larmishme. 

Ka diçka që mendon se mund ta kishe bërë më mirë këtë sezon?


Po, patjetër. Unë kam nxjerrë mësime nga 1 vit drejtim, qoftë si autore, qoftë si moderatore. Shpresoj t’i pasqyroj sa më mirë nga shtatori. 

Cila është kritika dhe komplimenti që të bëjnë shpesh, miqtë apo familjarët, kur të shohin në ekran?

Kritikat – dhe këto qofshin – lidhen me disa tike të miat, si për shembull fakti që unë merrem me flokët. Ndërsa komplimentet s’po i them këtu, se ju i dini vet. 

Ç’notë do t’i vendosje vetes dhe “Ftesë në 5” për këtë sezon? 

10 me yll. 


“Ftesë në 5” ka arritur rreth 10 milionë klikime në Youtube. E lumtur me këtë rekord?

Ndaj edhe u tregova kaq dorëlëshuar me notën për veten, duke marrë për bazë edhe këtë rekord. “Ftesë në 5” e nisi rrugëtimin vetëm shtatorin e kaluar dhe brenda një sezoni televiziv arriti të bëhet programi më i ndjekur i pasdites. Në një realitet mediatik, ku audiencë-matësit jamë të pabesueshëm nga të gjitha palët (emisionet investigative e kanë dëshmuar herë pas here mungesën teknike-logjistike të tyre për ta kryer funksionin), platforma Youtube bëhet arbitri më ekzakt në këtë drëjtim. Deri në mbyllje të sezonit televiziv, mesi i korrikut, “Ftesë në 5” kishte një shikueshmëri në shifrën 10 milionë, duke qenë kështu emisioni i parë i orës 5 dhe me një diferencë të theksuar nga vendi i dytë.

Një tjetër program brenda Topit, sa e vështirë ka qenë t’u thuash “JO” atyre që nuk kanë dhënë maksimumin në skënë?

Të them të drejtën, nuk është e vështirë të thuash “Jo” kur ti e gjykon dikë për punën që po kryen. E rëndësishme është që unë jam munduar të jem e kujdesshme në formën se si ia kam shpjeguar vendimin tim, më mënyrë që as të mos e fyeja dikë dhe as ta dekurajoja në pasionin e vet. 

Juria nga ekrani duket që është në një pozicion komod. I tillë është vërtet?

Po, ndoshta komoditeti i përceptuar nga ekrani lidhet me eksperincën dhe vlerësimin për jurinë, ndërkohë që të jesh në pozicion gjykues, sigurisht që mungesën e komoditetit e ka në faktin që do bësh njerëz të pakënaqur. Dashur pa dashur, ka njerëz qe edhe mund të na kenë gjykuar apo edhe na kanë marrë inat për ndonjë vlerësim tonin.

Me cilin nga anëtarët e jurisë ke më shumë miqësi jashtë programit?

Me Elonën, kuptohet. Që prej kohës së “Top Show Magazine”, kur të dyja ishim opinioniste, miqësia ka vijuar dhe kemi një kimi shumë të mirë edhe në ekran. 

Albani nga shtëpia, të bënte ndonjë kritikë për ndonjë buton të kuq që ke shtypur?

Më kujtohet vetëm në një rast. Në gjysmëfinale, nuk ishte dakord me mua për një djalë të ri që ne nuk e kaluam në finale dhe vazhdon këmbëngul që ajo çka ne atij ia quanim pikë të dobët, në fakt mund t’i kthehet në pikë të fortë në ekran. 

Kroi tashmë është rritur dhe, me siguri, të ndjek. Çfarë thotë kur të sheh në ekran?

Fillimisht, qante sapo dëgjonte zërin tim. Tani thërret “mama, mama” dhe vazhdon të luajë kur në sfond ka zërin e mamës. Ka pasur edhe raste kur shkonte më puthte tek ekrani ose merrte celularin dhe ia jepte Albanit që ai të më merrte mua në video. Shenja këto që e merrte malli dhe donte të komunikonte me mamën. 

Pas ardhjes së Kroit në jetë, shumë gjëra kanë ndryshuar. Si e përjetove periudhën pas lindjes? Kalove edhe ti, si shumë nëna, depresion postpartum? Nëse po, si e përballove dhe cili do të ishte mesazhi që do t’u jepje vajzave që e kalojnë të njëjtën gjë?

Ehhhh... ishte një ndjesi e çuditshme, sepse të vinte për të qarë dhe ti nuk e kuptoje pse-në. Njerëzit më uronin për djalin, për shembull, unë qaja dhe habitesha edhe me veten. Sigurisht që e kuptova shumë shpejt se për çfarë bëhej fjalë, depresioni pas lindjes. E kalova shumë shpejt dhe besoj që më ka ndihmuar edhe fakti që prej ditës së dytë kemi dalë nga shtëpia, e morëm Kroin dolëm për një kapuçino, bëmë shëtitje me karrocë dhe, nga ana tjetër, edhe Albani ka qenë shumë pranë meje. Mendoj se të dalësh nga shtëpia është zgjidhja, të takohesh me shoqërinë, ashtu me fëmijën me vete, sepse kupton që jeta qenka njësoj, madje më e plotësuar, se ke edhe një shok të vogël me vete (siç është rasti im me djalë).


Kroi është një fëmijë i mbarë apo pak rrëmujaxhi?  

Pak si shumë… Është i shkathët, nuk pushon një minute, përveçse kur fle, sajon lojëra vet, tani ka filluar na bën edhe muhabet (nuk ka nga të ngjajë fare). 


Cila është marrëdhënia e tij me motrën e madhe?

E do shumë Joelle. Kur vjen ajo në shtëpi nga ne, i ulet në prehër dhe ashtu hanë drekën apo darkën. E thërret J (Xhej). 

Keni në plan një fëmijë të dytë, apo është akoma herët?

Në plan jo, me dëshirë po. 

Albani është kritiku yt më i madh në ekran (sepse dëshiron të dalësh sa më mirë) apo është fan-i yt më i zjarrtë?

Do të doja të ishte e para, pra kritiku më i madh ndaj meje, por deri tani ka rezultuar më shumë opsioni i dytë, pasi nuk gjen kritika (kështu më thotë të paktën). Por nga dy përcaktimet e mësipërme, do të thosha që më shumë do t’i shkonte: mbështetësi im më i madh. 

Pas lindjes së djalit, vazhdon të qëndrosh në vend “të parë” apo Kroi e ka marrë të gjithë vëmendjen e Albanit?

Nuk ka vend për të parë këto situata, pasi të dy ne jemi të përqëndruar dhe dedikuar ndaj Kroit. Pas orës 10 të darkës, kur Kroin e vëmë në gjumë, bëhemi te parët për njëri-tjetrin dhe fillojmë e shijojmë atë pak liri me një gotë verë. 

Në “Dua të të bëj të lumtur” listove 5 gjëra që i urreje tek Albani. A ka përmirësuar ndonjërën prej tyre?

Hahahahaaahaaaa... kur s’i kishte ndryshuar deri në atë kohë, nuk pres çudira tanimë, por të paktën unë ia “denoncova” publikisht. Ai, nga ana tjetër, është i bindur për sjelljet e veta. 

Pushimet e verës i planifikoni muaj përpara apo jeni “last minute” gjithmonë?

Fillojmë i mendojmë muaj përpara, por për të prenotuar mbetemi përgjithësisht në minutë të fundit, pasi varemi nga mbyllja e sezonit televiziv. 

Cili është destinacioni që ju të dy e dashuroni dhe ju sjell kujtime të bukura të lidhjes suaj?

Në Shqipëri është jugu, aty ku kemi kaluar shumë pushime verore dhe jo vetëm dhe ku ne gjithmonë kënaqemi. Edhe tani me Kroin shkojmë shpesh. Ndërsa jashtë vendit, Italia është destinacioni ynë i preferuar. Kemi kaluar pushime shumë, shumë të bukura dhe do të veçoja Puglian dhe Sicilinë. 

Keni menduar të realizoni një dasmë? 

Jo, në fakt. Mund ta kemi përmendur në bisedat tona, por jo që të kemi plane. 

Cila është fjala më e shpeshtë që ia thua Albanit dhe ai ty?

Shpirt. Unë atij e ai mua. 

Je ndër moderatoret shqiptare më simpatike. Si ia ke dalë në këto kohë që po jetojmë të mos kryesh asnjë ndërhyrje?

Faleminderit. Në zanatin tonë, flas në gazetari, bukuria është avantazh në qoftë se e ke, por jo arma më e fortë. Duhet thjesht të ndash mendjen me kë konkurron, me modelet apo shembujt e gazetarisë. Edhe unë, ka kohë, e kam bërë zgjedhjen time. 

Ka diçka që do të doje të ndryshoje tek vetja në pamjen e jashtme?

Tani, në vështrimet tona edhe më pak kritiket, përpara pasqyrës gjejmë vërejtje për veten. 

Komplimenti më i bukur që të bën Albani për aparencën?

Komplimentet Albani m’i bën kryesisht për flokët, për duart dhe sytë, pastaj kur ka kaluar ajo ora 10 e darkës që tregova me sipër, rri dhe më mbush me komplimente përkëdhelëse.

I kushton shumë kohë kujdesit të fytyrës? Ka një maskë që e bën zakonisht, për shembull në kushte shtëpie?

Jo, sinqerisht. Madje, për shkak të përdorimit të grimit, tanimë të përditshëm, do të duhet të tregoj më tepër kujdes, por për momentin jam mjaftuar me një pastrim të mirë menjëherë sapo kthehem në shtëpi dhe një serum apo krem. 

Një këshillë për të gjitha vajzat që nuk kanë besim tek vetja e tyre dhe e shohin gjithmonë veten me defekte?

S’më pëlqen të jap këshilla, në fakt, por mund të them që këmbëngulja dhe mosdorëzimi për ëndrrat dhe planet duhet të triumfojnë mbi dembelizmin apo dekurajimin. 

Pushime në mal apo në det? 

Në det, pa u menduar fare. Jo se nuk i shijoj pushimet në det apo në mal, kalojmë mirë dhe gjejmë gjithmonë aktivitete kudo që shkojmë, por deti më jep tjetër energji dhe kënaqësi. Ndoshta edhe për shkak të origjinës, Sarandës së bukur.

Një familje e madhe apo e vogël?

Hëëëmmm... nuk e di ku ta kategorizoj, por 3 fëmijë, 5 anëtarë pra. 

Karrierën e suksesshme apo familjen e lumtur?

Të dyja. Nisa punën kur isha vetëm 20 vjec dhe vazhdoja edhe fakultetin për Shkenca Politike, u njoha dhe u lidha me Albanin, e shijuam shumë kohën më njëri-tjetrin, patëm një shtëpi tonën, një tërheqje e shkurtër e imja nga puna dhe ndërtuam familjen tonë dhe rikthim në karrierë. Mund të bëhen të gjitha. 

Sa të rëndësishme janë paratë për ty?

Aq sa për të përmbushur të gjitha kërkesat dhe kënaqësitë.

Jeta jote ideale e përshkruar në 3 fjalë….

Kjo që kam... 

 

Credits:

Foto: Class Photography, Orsola Mema

Veshjet: Woman Secret( Fashion Group Albania), Margot

Design: Xhesika Berisha