Sigurisht që ndarja e tyre ka qenë një nga lajmet më të bujshme që ende po komentohet në shtypin rozë apo në radhët e fansave të tyre të shumtë. Një nga çiftet më protagoniste të showbiz-it shqiptar, Nora Istrefi dhe Robert Berisha, tashmë janë zyrtarisht të divorcuar pasi vendimin e bëri publik vetë Roberti përmes një postimi në Instagram. Përmes tij ai bëri me dije se dashuria mes tyre kishte mbaruar, por ata kanë zgjedhur të mos jenë armiq sepse në fund të gjithçkaje ata janë prindërit e vajzës së tyre, Renee. Vendimi i tyre i ka dhënë kështu fund marrëdhënies së gjatë plot 13-vjeçare mes Norës dhe Robertit.
E ndërsa ky i fundit ishte i pari që zgjodhi të bëjë një reagim publik përmes një fotoje ku ata tre shfaqen të lumtur me vogëlushen e tyre disa vite më parë, këngëtari ka vendosur që ta fshijë këtë postim, me gjasë për të shmangur komentet e shumta që nuk i janë kursyer këto ditë, qysh prej momentit kur vendosi të bëjë publik lajmin e ndarjes nga Nora.
Me sa duket, lëvizjen e radhës e ka bërë vetë këngëtarja e cila, atëherë kur mendohej se nuk do të kishte një reagim publik ka vendosur që ta bëjë një të tillë. Ka fshirë pjesën dërrmuese të fotove me Robertin nga profili i saj zyrtar në Instagram, ndërsa ka vendosur të ruajë vetëm tre prej tyre, si pjesë të kujtimeve që ndoshta do të jetojnë përgjithmonë tek ajo.
Nuk dihet cilat do të jenë lëvizjet e tyre të radhës, tashmë si të ndarë, por diçka është e sigurt: ata do të bëjnë gjithnjë zhurmë në gjithçka ka të bëjë me jetën e tyre artistike apo private.