‘Çudirat’ e modeleve të reja të Apple, sa kushtojnë fantazitë e fundit

Në takimin e përvitshëm në Kaliforni të SHBA-ve, Apple paraqiti modelet e reja të iPhone, iPad dhe Apple Watch.
iPhone janë ato që i sjellin më shumë të ardhura kompanisë, por e vërteta është që shitjet kanë rënë gjatë 9 muajve të fundit. Drejtuesi Tim Cook, në konferencë, vuri theksin te nevoja e të pasurit më shumë entuziazëm te njerëzit për këto produkte.
Apple paraqiti tre telefona të rinj këtë të martë, iPhone 11 që kushton 699 dollarë; iPhone 11 Pro 999; dhe iPhone 11 Pro Max 1099 dollarë.

Modelet e vjetër do të shiten më lirë. iPhone 8 do të jetë 499 dollarë, ndërsa XR do të jetë 599.

Modelet e reja të iPhone kanë kamera me tre lente, të cilat bëjnë nëntë foto njëherësh. Këto foto optimizohen nga sensorët dhe programi i Apple për të dhënë fotot më të mira të mundshme. Po ashtu, kamerat kanë një sensor që mund të fotografojë më mirë edhe natën.

Bateria do të zgjasë 4 orë më shumë me telefonat e rinj se të vjetrit dhe telefonat do të jenë më të shpejtë.



