“Kam ambicie shumë të mëdha”, – përsëriti disa herë regjisori Eduart Grishaj pasditen e sotme nga “Ftesë në 5”, ku ishte i ftuar së bashku me aktorin kryesor të filimit të tij të parë me metrazh të shkurtër “Gjyshja”, Çun Lajçi. I emocionuar, por i qartë për qëllimet që i ka vënë vetes në drejtim të kinematografisë, Grishaj tha se filmi synon festivalet ndërkombëtare me këtë projekt. I bindur se suksesi i ka rrënjët te thjeshtësia dhe tek e vërteta, Grishaj, veç fabulës së filmit, e cila bazohet te një histori e vërtetë e treguar nga e ëma e tij, tha se e gjithë trupa që ka bashkëpunuar me të ka rolin e vet në këtë projekt që synon më shumë.

Pasi foli për emocionet e premierës, për dilemat gjatë rrugës, por edhe për aktorët që pati piketuar që në fillim të kësaj rruge, Eduarti, natyrisht, nuk mund të përjashtonte dhe të anashkalonte bashkëpunëtoren e tij më të mirë, Arbana Osmani.

Gjatë fjalimit mbrëmjen e djeshme, Eduarti i mahniti të gjithë me dedikimin për Arbanën: “Nëse ka një të mirë në këtë projekt, ajo është Arbana Osmani. Je frymëzimi im…” – tha ai ndër të tjera për moderatoren e njohur të ekranit, marrëdhënia me të cilën nuk ka pse të fshihet më, por ama tregohet i matur kur Bieta e pyet se kujt ia dedikon këtë film dhe të gjithë këtë sukses:

Unë, në përgjithësi, gjërat e mira i ndaj me shumë njerëz. Kam bërë edhe një fjalim shumë të sinqertë edhe te premiera dhe kam thënë gjëra shumë të sinqerta. Ashtu siç është filmi i vërtetë, edhe në gjëra të tjera mundohem të jem sa më i vërtetë. Edhe te programi “Dua të të bëj të lumtur” prandaj jam, sepse mundohem që historitë t’i paraqes të vërteta, ashtu reale, siç ato vijnë. Kështu, edhe këtë sukses ua dedikoj shumë personave, të gjithë stafit, u jam shumë mirënjohës aktorëve që i kisha aq të mirë, sa e kisha shumë të lehtë punën time. Nuk kisha mundësi të bëj një gjë të mirë, nëse nuk do kisha me vete të gjithë këta persona…

Ok, deri këtu, politikisht korrekt. Por nuk ishte kjo përgjigjja që Bieta dhe bashkë me të edhe publiku prisnin nga Eduarti. I ngacmuar edhe një herë për Arbanën, Eduarti, pak i sikletosur, tha:

“Veç asaj që kam thënë aty (ti je frymëzimi im), që nuk dua ta përsëris, Arbana është opozitarja ime më e madhe dhe ajo që më bën kritikat më të mëdha. Normalisht, është reciproke marrëdhënia ime e punës me Arbanën dhe kritikat ndaj njëri-tjetrit. Ashtu siç është edhe bashkëpunimi me njëri-tjetrin te projekti që kemi, e përkrahim njëri-tjetrin te rrugët tona. Normalisht, ka qenë një mbështetje shumë e madhe e imja; morale, profesionale. Ajo ka qenë me mua, edhe në xhirime. I ka pëlqyer shumë filmi, edhe vendi ku kemi bërë xhirimet. Po ashtu, edhe unë jam një mbështetje shumë e madhe për të dhe projektin e saj me librin e kuzhinës që do të publikojë së shpejti… “

Kaq tha dhe nuk ka nevojë për të shtuar më. Edhe Bieta pas tij konfirmoi se “çifti e mbështetin njëri-tjetrin në projektet respektive”…. Po, çifti! Apo s’kishte njeri më dyshime për këtë?

Lexo edhe "Në premierën e filmit, Eduarti e shpreh hapur dashurinë për Arbanën: Je frymëzimi im"