Mendoj se ky artikull specifik duhet të ishte bërë shumë kohë më parë pasi ka një rëndësi shumë të madhe. Madje është arsyeja kryesore pse krijova Loyalthy si rubrikë. Zgjodha pikërisht këtë titull për t’ju tërhequr sado pak vëmendjen për ç’ka do ju shkruaj në vijim.

Nëse keni ndjekur artikujt e mi të mëparshëm (para pauzës në sezonin veror), do keni vënë re se në çdo njërin prej tyre jam përpjekur të theksoj faktin se të jesh e shëndetshme(healthy) nuk do të thotë të dukesh e tillë. Gjithmonë e vlerësoj kohën tuaj, ndaj dhe nuk do të zgjatem me fjalë të tepërta dhe pse ndonjëherë ne zgjedhim të shpenzojmë shumë nga koha jonë në gjëra të parëndësishme. Kurrë mos e quani kohë të shpenzuar të mësoni diçka më shumë për trupin, shëndetin dhe mirëqenien tonë mentale.

Si fillim më duhet të sqaroj se nuk është koncepti i fitnessit që na dëmton rëndë shëndetin dhe kurrë nuk do jetë, jam e sigurt. Por presioni psikologjik që çdo individ ndjen kur vendos të futet në këtë rrugëtim të bukur, dhe kjo vetëm prej mënyrave se si komunikohet në media. Industria e fitnessit sot, duke marrë të parët influencuesit nëpër rrjete sociale, sa vjen e më shumë po japin shembuj të keqkuptueshëm dhe jo mirë të interpretuar duke injoruar detajet më me rëndësi që duhet të ndajnë me audiencën e tyre. Si pasojë e shfaqin gjithë punën e tyre me një foto në një kënd të bukur apo një quote të bukur e deri tek shitja e dietave të tyre personale për një çmim të arsyeshëm apo ekstrem.

Unë nuk jam ajo që duhet të gjykoj se si po e bëjnë punën e tyre brandet sportive, influencuesit, etj. por është lehtësisht e dukshme se si jemi të gatshëm që çdo ditë e më shumë të krahasojmë trupin tonë me të dikujt tjetër që shohim në Instagram e të themi:

“Ja kshu dua të bëhem”!

Çfarë ndodh më vonë është që fillojmë të keq-ushqehemi për hir të disa kileve apo formave që DIKUSH na i ka komunikuar se të jesh “ashtu”, do të thotë të jesh e bukur dhe e shëndetshme.

E përsëris: e bukura dhe e shëndetshmja nuk vijnë gjithmonë bashkë. Së pari një herë, të gjitha ju që po e lexoni këtë jeni të bukura. Por a jeni të gjitha të shëndetshme?  (Më falni djema që po e bëj kështu, por e di që kryesisht janë femrat ato që po e lexojnë këtë...)

Dietat, fotot e bukura, fjalët e bukura, detajet e fshehura po na bëjnë çdo ditë e më shumë të besojmë që një lloj siluete është më perfekte se ajo që kemi. Dhe nëse ti që po e lexon nuk ke rënë kurrë pre e kësaj, kam rënë unë, shoqet e mia, persona që më shkruajnë në DM, vajza nga palestra ime, të gjitha më tregojnë me një foto në celular dhe thonë:

“Ja kshu dua të bëhem”!

Nuk mund të gënjej, jam ndjerë shumë e lumtur sa herë kam dëgjuar fjalët: “Ja si TY dua të bëhem dhe unë!” Por e di çfarë, është e njëjta gjë. Jo vajza, ju duhet të jeni ju, version më i mirë i juaji dhe askush tjetër. Unë jam këtu për t’ju motivuar ju. Thellë-thellë dhe veten time.

SHIJOJE STËRVITJEN TËNDE:

Nëse fokusoheni vetëm tek rezultati nuk do shijosh asgjë gjatë proçesit. Më beso, nuk ka ndjesi më të bukur se të ndjesh përmirësim dhe çdo ditë e më shumë të bësh një kilometër më shumë vrap, të ngresh pesë kg më shumë, të rezistosh një set më shumë. Të ndihesh më e fortë. Këtë kënaqësi s’do ta japi kurrë një peshë “ideale” që për pak kohë do ndryshojë sërisht.

USHQEJE TRUPIN MIRË:

Mos prit që trupi yt të ketë muskuj nëse nuk i jep atyre ushqimin që i duhet për t’u ndërtuar. Fokusohuni tek makronutrientët dhe vlerat ushqimore që duhet t’ju shoqërojnë përditë, e jo tek numërimi i kalorive. Bëhuni koshientë ndaj çdo gjëje që konsumoni dhe përbërësit e tyre.

PUSHO SA DUHET:

Trupi dhe mendja jonë ka nevojë për pushim. E sidomos ku jetojmë në një jetë kaq të shpejtë, të zënë dhe me mbingarkesë emocionale. Respektoje veten, kaq e thjeshtë është.

MË PAK KRAHASIME:

Kushdo që ka thënë se krahasimet do na vrasin ka pasur shumë të drejtë. Askush nuk është njësoj. Çdo personalitet është unik, çdo trup është unik, çdo metabolizëm është unik. Ende kapeni me shoqen tuaj që ha gjithë ditën e nuk shëndoshet?! Sikur gjithë këtë kohë që shpenzojmë duke krahasuar veten tonë me njerëz të tjerë e duke kritikuar çdo centimetër të trupit tonë, ta kishim shpenzuar për të përmirësuar mënyrën e të ushqyerit, të punonim për veten tonë e çfarë kemi dhe të jemi mirënjohës: do kishte shumë pak njerëz që sot vuajnë nga ankthi dhe pakënaqësia ndaj vetes.

“Exercise is a celebration of what your body can do.

Not a punishment for what you ate”.