Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu konfirmojnë: “Your Face Sounds Familiar” nis transmetimin edhe në Shqipëri
Ja cili është programi i ri që do të fillojë në Tv Klan
Një formulë tjetër e suksesshme nga gjigandi “Endemol”, “Your Face Sounds Familiar”, shumë shpejt do të fillojë transmetimet e tij edhe në Shqipëri. Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu kanë konfirmuar se kjo patentë e famshme, pas eksperiencave të suksesshme në shumë vende të botës, tashmë do të nisë edhe në Shqipëri.
#foto
“Your Face Sounds Familiar” është një talent show, i cili ka filluar për herë të parë në Spanjë dhe ka protagonistë personazhe të njohur të botës së spektaklit (aktorë, këngëtarë, personalitete televizive, sportistë etj.), të cilët do të prezantojnë para një jurie profesioniste performanca të yjeve të ndryshme të muzikës. Duke “u maskuar” si këngëtarë të njohur, ata do të përpiqen jo vetëm të këndojnë si ata, por edhe të përshtaten në fizik, në moshë dhe në gjini. Këtu qëndron edhe e bukura e kësaj gare, e cila në qendër do të ketë një juri profesioniste që nuk do t’i vlerësojë artistët vetëm për mënyrën e të kënduarit, por edhe për interpretimin skenik. Pas disa fazave përzgjedhëse, në fund do të shpallet edhe fituesi, i cili të gjitha të ardhurat nga çmimi do t’i dorëzojë për bamirësi.
Spektakli do të nisë transmetimet në Tv Klan në muajin janar. Ende nuk bëhen të ditur emrat që do të jenë pjesë e jurisë profesioniste apo artistët pjesëmarrës, por pritet që ky program të shënojë suksesin e radhës edhe në Shqipëri, pas më shumë së 30 vendeve në të gjithë botën.



