Meghan dhe Harry nuk do të jenë më anëtarë të lartë të familjes mbretërore, duke hequr dorë kështu nga një pjesë e mirë e detyrave që u takonin si të tillë. Po ashtu, tani ata do të jenë të pavarur ekonomikisht dhe do të jetojnë mes Kanadasë dhe Britanisë së Madhe. Edhe pse vendimin e tyre e kishin bërë publik një javë më parë, mungonte fjala e Mbretëreshës Elizabeth, e cila reagoi vetëm dje, pas mbledhjes që pati me familjen e saj.

“Sot familja ime pati diskutime shumë konstruktive për të ardhmen e nipit tim dhe familjes së tij. Familja ime dhe unë jemi totalisht mbështetës ndaj dëshirës së Harry-t dhe Meghan-it për të krijuar një jetë të re si një familje e re. Edhe pse do të kishim dashur të punonin me kohë të plotë si anëtarë të familjes mbretërore, ne e respektojmë dhe e kuptojmë dëshirën e tyre për të jetuar një jetë të pavarur si një familje, ndërkohë që vazhdojnë të jenë një pjesë me vlerë e familjes sonë.

Harry dhe Meghan e kanë bërë të qartë që nuk duan të varen nga fondet publike në jetën e tyre të re. Do të ketë një periudhë tranzicioni, gjatë së cilës Sussex-ët do të kalojnë kohë në Kanada dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Këto janë çështje komplekse për t’u zgjidhur nga familja ime dhe ka shumë punë për t’u bërë, por vendimet përfundimtare do të merren në ditët në vijim”, -thuhet në deklaratën e Mbretëreshës Elisabeth.

Me dakordësinë e Mbretëreshës, Harry dhe Meghan tanimë mund ta jetojnë si duan jetën e tyre të re.