Babai i Meghan Markle e ka akuzuar drejtpërdrejt vajzën e tij për "shkatërrimin" e familjes mbretërore britanike, pas vendimit që ajo dhe Princi Harry morën për të hequr dorë nga të qenit anëtarë të mbretërisë.

75-vjeçari Thomas Markle e quajti vajzën e tij dhe Princin Harry, "shpirtra të humbur", në një dalje të fundit për Channel 5, në një dokumentar “Thomas Markle: My Story”, i cili do të transmetohet së shpejti.

Markle tha se ai ka mbetur i shokuar kur ka mësuar vendimin që ka marrë çifti. Duke iu referuar së bijës, 75-vjeçari tha se ajo, në fakt, ka shkatërruar ëndrrën e çdo vajze që dëshiron të bëhet një ditë princeshë: “Çdo vajzë dëshiron që një ditë të jetë princeshë. Ajo e kishte këtë dhe e shkeli me këmbë”, – tha Markle për dokumentarin 90-minutësh, i cili do të transmetohet në javët e ardhshme.

Vendimin e çiftit ai e quajti qesharak, madje tha edhe se “ata po e shkatërrojnë familjen mbretërore”.

Sipas Markle, gjithçka është bërë për para. “Me sa duket, 3 milion paund, një shtëpi me 26 dhoma gjumi nuk paskan qenë mjaftueshëm për ata. Më duket e turshme”,– vijon i ati i Markle, duke iu referuar rezidencës mbretërore, Frogmore Cottage, në të cilën jetonte çifti para se të linte Britaninë.

Mendoj se ata të dy janë shpirtra të humbur në këtë pikë, - shton Markle,- dhe mendoj se as ata vetë nuk e dinë se çfarë po kërkojnë.”

Markle, prej kohësh, nuk ka kontakt me të bijën. Ai nuk ishte i pranishëm as në dasmën e çiftit në vitin 2018 dhe arsyeja, asokohe ishte zemra e tij e dobët, e cila nuk ia mundësonte dot udhëtimin.

Megjithatë, edhe më vonë, pas skandalit të fotografive, 75-vjeçari nuk u pranua në familjen mbretërore.