
Ish-çifti i artë i muzikës italiane, rikthehet sonte në “Ariston”. Por nuk janë vetëm ata të dy. Sonte janë të shoqëruar edhe nga vajza e tyre, Romina Jr., e cila ishte në barkun e saj në vitin 1987… Por për ta nuk është hera e dytë, as e treta.

Ishte viti 1982 kur në Sanremo Al Bano e Romina Power këndonin “Felicità”. Ishte hera e parë bashkë, me atë që e kishte shikimin të mbërthyer me të Rominës dhe që harronte fjalët. Ishin çifti më i bukur në botë. Gjithçka që këndonin, bëhej e suksesshme.

Një i ri nga Cellino San Marco ishte martuar me vajzën e aktorit të famshëm Tyrone Power në vitin 1970 (bashkë kanë katër fëmijë: Ylenia, Yari, Cristèl dhe Romina Jr). Në festival do të ktheheshin sa e sa herë.
Fitorja e vitit 1984 me “Ci sarà” vijoi me atë në vitin 1987 “Nostalgia canaglia”, e cila do të renditej në vendin e tretë. Viti 1991 i risolli me këngën “Oggi Sposi” dhe kjo ishte dalja e fundit para divorcit. Nuk mund ta përballonin zhdukjen e Ylenia-s, edhe pse ai njohu më vonë një partnere të re (Loredana Lecciso), me të cilën ka dy fëmijë të tjerë.

Duhej pritur viti 2015 për t’u rikthyer në Ariston. I zoti i shtëpisë, Carlo Conti. Kënduan pothuaj të gjithë repertorin e tyre, ndërsa nuk shpëtuan as nga “bacio bacio”. Që nga ai vit, nisën të këndojnë bashkë, në një tur rreth botës.
Dhe tani, 5 vjet më vonë, ish-çifti më i bukur në botë rikthehet në Ariston. I zoti i shtëpisë, Amadeus, i ka të ftuar të natës së parë. Në 70-vjetorin e festivalit, Al Bano dhe Romina prezantojnë këngën e tyre të re (shkruar nga Cristiano Malgioglio), me titull “Raccogli l’attimo” (në radio më 5 shkurt, pjesë e albumit që do të publikohet më 7 shkurt). Me ta është edhe vajza Romina Jr., 32-vjeçare, që në këtë skenë ka qenë që kur ishte në barkun e nënës, në vitin kur prindërit e saj do të fitonin çmimin e tretë me “Nostalgia canaglia”.

Dhe nëse bashkimi në muzikë vazhdon me sukses (ne gjithmonë jemi kënaqur në skenë), jetët personale sot vijojnë duke ruajtur respekt të madh. Nuk ka kohë, me sa duket, për hatërmbetje. "

"Me Rominën, njoha bukurinë e viteve më të mira, pas të cilave erdhi nata, aq e errët sa na çoi në divorc. Tani respekti ka zënë vend, në atë fazë jemi: kur një burrë dhe një grua bëhen baba dhe nënë, ata kurrë nuk duhet të ikin",- ka thënë 76-vjeçari kohët e fundit.
Por nuk mund të anashkalohet edhe fakti që më 26 korrik ata do të festonin 50-vjetorin e martesës. Sa keq!
