Urdhri i mbrojtjes nuk mundi ta shpëtojë Esmeralda Filopatin dhe vëllain e saj Vledisonin, nga ish-bashkëshorti Fatmir Koleci, i cili u mori jetën të dyve në oborrin e shtëpisë, në fshatin Kodër Rrëshen.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 20 e 40 të së martës. Autori kishte shkuar më herët për të takuar fëmijët, por është penguar nga ish-kunati, Vladisoni.
Vladisoni kishte shkuar në qytetin e Rreshenit për të marrë nga puna Esmeraldën që punonte si shitëse. Autori ka qëlluar me breshëri plumbash ndaj ish-gruas së tij dhe ish-kunatit, teksa ata i afroheshin shtëpisë.
Plumbat kanë tronditur gjithë familjen Filopati, përfshirë dhe 3 vajzat e mitura të Esmeraldës që ndodheshin në shtëpi me gjyshërit.
Autori është larguar menjëherë nga vendngjarja dhe policia në bashkëpunim me forcat RENEA është ende në kërkim të tij.
Policia e Lezhës ka vënë në dispozicion 5 milionë lekë për këdo që jep informacion të vlefshme që do të çojnë në zbulimin e vendndodhjes.
Pas divorcit, Esmeralda jetonte në familjen e prindërve dhe nën kujdesin e të vëllait.
Fatmir Koleci ka qenë i dënuar për dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje. Ai ishte lënë i lirë rreth 1 vit më parë, por debatonte vazhdimisht me ish-bashkëshorten për të takuar më shpesh 3 fëmijët e tyre.