Dashurinë për Shqipërinë e ka të injektuar nga i ati, i cili, si njohës i mirë i kulturës shqiptare, e ka ushqyer të birin qysh fëmijë për të dashur e për t’u edukuar ndryshe. Sot, që gazetari dhe opinionisti i njohur nga Kosova është prind i dy djemve të rritur, është edhe më shumë krenar që bijtë zgjodhën një rrugë të mbarë e kanë vendosur të jenë të denjë për shoqërinë tonë.

Ndryshe nga të gjitha studiot e debatit, Baton Haxhiu ishte sot në anijen e Piter Panit, nga ku zbuloi disa anë të tjera të tij, pikat më delikate, jashtë politikës, jashtë punës së tij të përditshme dhe jashtë tematikës që zien çdo ditë shoqërinë.

Duke iu përgjigjur pa doreza pyetjeve naive të fëmijëve, Batoni nuk e pati edhe aq të thjeshtë të ndihet rehat. Shpeshherë, është e vështirë t’u kthesh fëmijëve një përgjigje të bukur, por sidoqoftë, vendosi të flasë si në asnjë studio tjetër më herët.

Kur i erdhi radha familjes, bekimit të tij më të madh, Batoni tha se sot ai ndihet krenar që dy djemtë, Joni dhe Andi, kanë zgjedhur rrugën që kanë dashur në jetë.

I madhi, Joni, ai që tashmë ka mbaruar Magjistraturën dhe është në proces doktorature në Edinburgh, emrin e ka marrë pikërisht nga deti Jon – simbol i kthjelltësisë, i rrdhjedhshmërisë… Ashtu ka shkuar edhe jeta e tij deri tani: “Nuk është më djali im…” – thotë Baton Haxhiu modest, duke theksuar se tashmë Joni, me atë që bën dhe do të bëjë në të ardhmen, u përket të gjithë shqiptarëve.

Ndërsa, më i vogli, Andi, e ka marrë emrin nga Andi Bejtja, ju besohet? Po, gazetari dhe analisti që ju e keni parë në ekran, para se të bënte këtë, shkruante disa poezi – një prej të cilave Baton Haxhiu e kujton edhe sot, që nga viti 1993: “Gjithë natën eci nëpër ëndrra, në mëngjes s’më dhembin këmbët, por zemra.”

Ky varg e shoqëroi Batonin gjithmonë, ndaj edhe dy vjet më vonë, djalit tjetër ia vuri emrin Andi, nga Andi Bejtja i poezive… që më vonë do të ishte edhe Andi i letrave, një mik tjetër i ngushtë i tij nga Shqipëria.