Sot është Fiter Bajrami. Besimtarët myslimanë shqiptarë ashtu si në të gjithë botën falën Namazin, por në një situatë aspak të zakontë për shkak të pandemisë së koronavirusit. Pavarësisht kësaj feste të shenjtë për myslimanët, zonat e kuqe janë të mbyllura dhe nuk do të lejohet asnjë aktivitet. Besimtarët nuk kryen dot faljen në sheshe, sikur ishte traditë, por në xhami, nën protokollet shëndetësore të sigurisë.

Fiter Bajrami është festa e parë e këtij viti në kalendarin islam dhe pas faljes së mëngjesit, rituali vazhdon me prerjen e kurbanit duke vijuar me urimet.

Ndërkohë që vizitat familjare do të shmangen për shkak të situatës që po kalon mbarë bota.

Pse festohet Fiter Bajrami?

Fiter Bajrami është festa, e cila bëhet pas mbarimit të muajit të Ramazanit. Emri Fiter Bajram vjen nga fakti se myslimanët para ditës së Bajramit shpërndajnë lëmoshë, solidarizohen me të varfrit dhe kështu, në këtë mënyrë, festojnë së bashku këtë festë.

Zoti ligjësoi në fund të muajit të Ramazanit festën e Fiter Bajramit, gëzim për myslimanët, ashtu siç ligjësoi festën e Kurban Bajramit në ditën e dhjetë të muajit Dhul-Hixhxhe. Festa e Bajramit manifestohet duke falur namazin e Bajramit.

Namazi i Bajramit është obligim i domosdoshëm për çdo mysliman. Muhammedi i ka kushtuar rëndësi të veçantë duke i urdhëruar myslimanët që ta falin këtë namaz. Koha e namazit të Bajramit fillon me ngritjen e diellit nga horizonti sa një shtizë, derisa të arrijë në zenit.

Namazi i Bajramit ka dy rekate dhe dallon prej namazeve të tjera për nga mënyra e faljes. Në rekatin e parë pas tekbirit fillestar merren shtatë tekbire, më pas lexohet sureja Fatiha dhe ndonjë sure tjetër. Pas plotësimit të rukusë dhe sexhdesë së rekatit të parë, ngrihet për në rekatin e dytë dhe menjëherë merren pesë tekbire pas të cilëve lexohet Fatiha dhe ndonjë sure, më pas shkohet në ruku dhe sexhde e kështu përfundon namazi.

Urojmë të gjithë besimtarët myslimanë: Gëzuar Fiter Bajramin!

(ed.me/BalkanWeb)