Visheni që tani trendin e parezistueshëm të kësaj vere, ‘kopjoni’ nga Ingrit Gjoni

Ndoshta nuk keni pasur mundësi gjatë kësaj periudhe ta jetoni pranverën plotësisht. Ç’është pranvera pa modë, lule, ngjyra? Pandemia na riktheu të gjithëve te tutat dhe bluzat e pambukëta të shtëpisë, por dalëngadalë, jashtë ka rinisur jeta. Edhe moda gjithashtu.

Nëse edhe ju parashikoni që vera të jetë e gjatë dhe t’ju gjejë në punë, atëherë çfarë më shumë se kostumet e shkurtra do të jenë ideale për ju? Në fakt, emrat më në zë të botës së modës i kanë propozuar kostumet me pantallona të shkurtra të pranverë – verës qysh në fund të vitit të shkuar dhe ja ku jemi rikthyer.

Kostumi me pantallonat e shkurtra u konsiderua një prej trendeve më të pëlqyera të viteve ’90 (gjithnjë dukej e magjishme Julia në "Pretty Woman") dhe nisi sërish të prezantohet vitin e kaluar falë stilistëve si Tibi, Versace, Saint Laurent dhe Off White.

Për pranverë – verën ‘20, kostumet me pantallona të shkurtra janë veshja më e parezitueshme.
Materialet që propozojnë stilistët janë nga më të ndryshmet, ngjyrat po ashtu. Mjafton pak guxim për të provuar një stil të ri veshjeje që, pa dyshim, i rri për shtat çdo siluete.

Ingrit Gjoni, e ftuar pasditen e sotme në “Rudina” për të folur për pasionin e saj për interior & design, kishte veshur një kostum të bardhë me pantallona të shkurtra. Pyetjes së Rudinës për këtë veshje sa interesante, aq edhe moderne, Ingriti iu përgjigj: “Po, kështu është moda, kostumi me pantallona të shkurtra...”

Kush do e vinte në dyshim modën nëse e ka veshur Ingriti? Por, nëse na lejon, a mund t'ia kopjojmë?







