Sa me një ngjyrë, me një tjetër, sa me një stil, një tjetër – gjithçka që Alba Hoxha zgjedh për të veshur kur del në ekran, është plot dritë dhe jashtë “kornizës” së pashkruar që duhet të mbajë një prezantuese e motit.

Megjithatë, për një pjesë të mirë të publikut, Alba dhe veshjet e saj bien aq shumë në sy, saqë mendja shkëputet tërësisht nga moti dhe ajo që do të ndodhë me të, për t’u përqëndruar te linjat elegante të Albës dhe veshjet e saj të larmishme.

Ditët e fundit, në vazhdën e komenteve për veshjet e balerinës së njohur të Tv Klanit, u komentua gjatë edhe një fustan i saj i bardhë, me dekolte të theksuar… Pavarësisht komenteve, Alba nuk u shqetësua as këtë herë, sepse ajo e di që, sido të vishesh, publiku ka gjithmonë një koment për të bërë. Ndonëse këtë herë ishte pak më ndryshe…

E ftuar pasditen e sotme në “Rudina”, së bashku me kushërirën e saj, Isida Mollaymeri, për të folur për marrëdhënien e tyre dhe pasionin e njëjtë, Alba u ndal në fund edhe te komentuesit e veshjeve të saj. Pas pyetjes së Rudinës “çfarë ka për t’u thënë atyre që e kanë të vështirë të përqëndrohen te fakti si do të jetë moti, sepse u tërheq vëmendjen Alba", balerina iu përgjigj shkurt dhe prerë: “E rëndësishme është që merren… Vetëm karamelja mbahet në gojë” – tha me humor, por me këtë u la të gjithëve të kuptonin se nuk ka për të ndryshuar nga shijet dhe dëshirat e saj, edhe në ekran.

Si për të vërtetuar këtë të fundit, ndërhyri edhe kushërira e madhe e Albës, Isida Mollaymeri: “Alba, gjithë jetën ka bërë dhe do bëjë çfarë të dojë” – tha ajo me finesë dhe me kaq e mbylli.

Kush guxon tani të bëjë një koment tjetër?