Pak ditë më parë, Ministria e Arsimit bëri të ditur se viti i ri shkollor do të nisë më 14 shtator. Mirëpo, ende nuk është e qartë për nxënësit, prindërit dhe mësuesit si do të zhvillohet mësimi, për shkak të gjendjes së pandemisë.

Në një deklaratë për mediat, ministrja Besa Shahini theksoi se për shkak të koronavirusit mësimi nuk do të jetë më si më parë dhe bëri të ditur se po punohet për “zhvillimin e politikave të mësimit të përzier”. Me pak fjalë do të bëhet një kombinim, një pjesë e mësimit do të bëhet online dhe një pjesë fizikisht.

Megjithatë, ministrja tha se duhet ende kohë për detajimin e planit, pasi do të shihet si do vazhdojë pandemia.

“Mësimi do të fillojë në shtator, por nuk do jetë i njëjtë si më parë për shkak të Covid-19. Ne po zhvillojmë politikat e mësimit të përzier, një pjesë e të cilit do zhvillohet në shkollë dhe pjesa tjetër do të vijojë online dhe në kanalin e RTSH-së, RTSH SHKOLLË. Do të bëhet një kombinim. Për planet e detajuara do të na duhet edhe pak kohë, sepse do të shohim si do të përhapet më tutje pandemia. Nëse frenohet përhapja do ta ndryshojmë planin, nëse përhapet shumë do të marrim një vendim tjetër. Do t’ju njoftojmë.

Gjatë kësaj kohe po zhvillohen xhirimet dhe RTSH do të jetë gati të zëvendësojë shkollën në kushte shtëpie. Nëse deri tani kemi përdorur në shumë raste WhatsApp-in si një aplikacion i njohur më shumë nga nxënësit dhe mësuesit, tani do të fillojnë të përdorin një platformë tjetër. Sikurse e kemi vendosur tashmë, mësimi për shkollat 9-vjeçare dhe ato të mesme do të fillojë në datën 14 shtator”, -tha ministrja Besa Shahini.