Është historia tipike e një djali të ri, plot ëndrra, energjik dhe me pasion për punën...E një njeriu që të ardhmen e kish projektuar herët, jo vetëm në letra, por edhe në realitet duke investuar çdo ditë të jetës së tij për të forcuar "themelet" e një biznesi krejt të ri asokohe në Shqipëri! Gjithherët ka qënë e vështirë të nisësh një sipërmarrje, sidomos në një vend si i yni, e për tepër për një njeri që është rritur dhe ka jetuar vite të tëra larg Shqipërisë. Por, asnjë nga këto detaje nuk u bë pengesë për Rigers Rusin që bashkë me motrën e tij Valbona Begolli dhe Julian Begollin, të nisnin sipërmarrjen e tyre që sot njihet si "Albpastrim"!

Në këtë "normalitetin tonë të ri" për shkak të pandemisë së Covid-19 që prej muajit Mars ka "gjunjëzuar" botën mbarë, por edhe vendin tonë, biznesi i tyre le të themi që nuk ka njohur cënim të karakterit financiar apo në investime. Sepse pastrimi, dezinfektimi në këtë kohë pandemie për individë dhe biznese është një nga kërkesat e përditshme dhe nevojat emergjente që shumëkush e zbaton për çështje të kujdesit dhe higjinienës personale, por në institucione apo ndërmarrje, kjo vjen e kushtëzuar edhe nga protokolli që ka vendosur qeveria shqiptare.

"Albpastrim" sot është vetëm një degë e kompanisë së madhe "Albgroup" që ka njohur vetëm zgjerim dhe suksese ndër vite. Asaj i është shtuar edhe profili i "Albacademy" dhe "Albsolution", ku gjehet gjithçka ju duhet për pastrimin, nga produktet më cilësore të pastrimit, tek stafi i kualifikuar, tek përgjegjshmëria, angazhimi, tek marrja e leksioneve profesionale tipike të një shkolle të vërtetë për të përsosur dijet dhe njohuritë tuaja!

Dhe pas gjithë kësaj historie suksesi, qëndron Rigers Rusi dhe e motra e tij, Valbona! Neve na kuriozoi profili i këtij të riu kaq profesionist, që ka ngritur një "perandori" të pastrimit, higjienës, produkteve dhe lëndës së parë cilësore, stafit të kualifikuar, shërbimit të dedikuar, gjithçka në krahë të kërkesave të klientëve dhe përmbushjes 100% të pritshmërive të tyre. Nga shkollimi në Greqi, tek vendimi për të nisur një biznes në Shqipëri, zgjerimi i degëve të sipërmarrjes, pasioni i tij për punën, familja, ekuilibri i artë mes biznesit dhe pasioneve personale, Riger Rusi vjen në këtë profil interesant për "Class"!

Rigers, fillimisht le të zbulojmë diçka më shumë për ty. Profili yt, studimet, përfshirja tek Albpastrim?

Unë kam jetuar në Greqi për një periudhë të gjatë, atje jam rritur, pasi jam larguar nga Shqipëria shumë i vogël. Profili i studimit ka qënë në Inxhinierinë e Ndërtimit, madje kam punuar për një periudhë të konsiderueshme në fushën e menaxhimit në një kompani ndërtimi, por edhe në një kompani pastrimi. Shumë mendojnë se të nisësh një biznes duhet të nisesh nga kapitali. Realisht jo gjithçka fillon nga kapitali. Gjatë kohës që punoja doja të kisha më shumë angazhime. Bashkë me motrën time Valbona Begolli vendosëm të nisnim një biznes, por në Shqipëri, në sektorin e shërbimeve (duke qënë se edhe kishim  njohuri) dhe nuk ishte e lehtë. Duhej të shikonim tregun, gjërat si funksiononin në Shqipëri, pasi kishim kohë që ishim larguar, që do të thotë duhej të fillonte gjithçka nga zero. Sigurisht që arsimimi është një kapital i cili shërben si katalizator për nxitjen dhe shtyrjen në sipërmarrjen ekonomike dhe kur erdhëm filluam dhe studimet sërish tek Universiteti Europian i Tiranës për Administrim Biznes, i cili na duhej për biznesin.

Si kanë qënë shkallët e karrierës për ty?

Filluam  në sektorin e shërbimeve, hasëm vështirësi, pasi na duhej që çdo gjë të fillonte nga zero,(punën e shërbimit e kam kryer edhe vetë në fillim deri në momentin që është ngritur si duhej) duhej të shikonim fillimisht si funksionin gjërat në Shqipëri, por vështirësia më e madhe ishte për ta krijuar shërbimin ndryshe nga çfarë ofrohej në treg. Për të sjellë brande të reja në shërbimet dhe produktin e pastrimit. Nëse ju nuk do të keni ide të qartë për ta zhvilluar idenë tuaj deri në fund me angazhim real nuk do të keni një histori suksesi dhe për ju. Të gjithë të tjerat vijnë më pas, ju vetë angazhohuni. Fokusi ynë me kalimin e viteve ka qenë punonjësi, për të motivuar punonjësit, për t’i trajnuar ato.

Fillimisht, ke qenë me statusin e punonjësit tek Albpastrim, më pas u bërë një nga ortakët e kësaj kompanie që tani është zgjeruar edhe më shumë, duke u njohur si AlbGroup, ku është kompania e pastrimit, ku degë të saj janë edhe AlbSolution dhe AlbAcademy. Si i menaxhoni të gjitha këto profile të biznesit?

Kompania e parë Albpastrim, e themeluar që në vitin 2011-të përfshinte përveç  shërbimeve edhe  shitjen e produkteve dhe materialeve të pastrimit si dhe trajnime në fushën e hoteleri –turizmit. Duke parë që biznesi po zgjerohej në të treja fushat si dhe interesin ndaj trajnimeve në fushën e hoteleri-turizmit menduam se do ishte më mirë të operonin secila më vete. Tashmë, secila operon e ndarë Albpastrim-shërbime/Albsolution-shitje dhe së fundmi Albacademy, e cila  ka filluar veprimtarinë e saj në  trajnimet afatshkurta  profesionale të stafit si dhe me trajnime, kurse  dhe konsulencë në sektorin e Hoteleri–Turizëm. Vazhdimisht investojmë në trajnimin dhe zhvillimin e stafit, sigurojmë materiale dhe makineri të teknologjisë së fundit, duke bërë që ky grup të japë rezultate akoma më të mira.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Alb Pastrim �️ (@albpastrim) on

Çfarë ka ndryshe Albpastrim? Pse kompanitë apo individët duhet t'i besojnë kompanisë suaj?

Shërbimet e pastrimit janë gjithmonë në përputhje me standardet tona për të siguruar cilësinë më të lartë të mundshme. Përqëndrohemi në burimet tona në ruajtjen e standardeve të pastrimit duke shkuar drejt zgjerimit dhe rritjes. Ruajtja e klientëve tanë ekzistues, përsosmëria në ofrimin e shërbimeve tona na ka sjellë inkurajimin e tyre dhe referenca për klientë të rinj dhe potencial përmes cilësisë së shërbimit dhe çmimeve të volitshme. Besueshmëria në cilësinë e shërbimit, si dhe konsulencat para dhe pas shërbimit kane bërë që të na besohen kontrata me shumë kompani për realizimin e pastrimit dhe mirëmbajtjes së ambjenteve të brendshme dhe të jashtme, pastrimit të  fasadës dhe nevoja të tjera të pastrimit. 

Shërbimi, produktet cilësore, siguria, çfarë standartesh të tjera qëndrojnë në themel të punës dhe funksionimit tuaj?

Shërbimet realizohen nga një staf i gjerë i cili zotëron trajnimin përkatës rreth metodave të pastrimit, skedave teknike të solucioneve dhe makinerive. Mund te themi vërtet që standardet, siguria dhe cilësia na përfaqësojnë, jo vetëm për pastrimin, por edhe për produktet të cilat përveç cilësisë reduktojnë koston dhe kohën për të gjitha industritë. Vazhdimisht jemi në kërkim të kontraktorëve të rinj nëpër Shqipëri dhe jashtë, me të cilët ne mund të bashkëpunojmë. Duke investuar dhe duke siguruar burime që këta kontraktorë të jenë besnikë të standarteve tona.

Rigers, ti je një djalë i ri, energjik, me shumë pasion për punën. Mendon se je një shef ekzekutues i mirë apo një menaxher i përsosur?

Duhet të ketë një kornizë që lidh zgjidhjet e secilit lloj problemesh të ndryshme dhe të lejojë ekipin të shfrytëzojë këto zgjidhje për të zgjidhur më mirë çështjet. Mendoj se ky është arti i menaxhimit dhe ekzekutimi është më i thjeshtë nëse realizohet kjo lidhje.

Na fol pak më shumë për veten, për pasionet, në kohën e lirë çfarë bën?

Përveç biznesit, normalisht që është dhe koha e lirë, gjatë së cilës mund të merrem me sport, më pëlqen të ndjek trajnime të ndryshme dhe mundohem të gjej gjithmonë kohë, pasi dua të jem gjithmonë koherent me ndryshimet apo risitë e  fundit. Mund të përmend dhe pasionin që unë kam për fotografinë, po ashtu dhe për leximin. Faqen time të  Instagramit e kam ndërtuar në mënyrë të tillë që të jetë motivuese dhe me këshilla për karrierën duke  u bazuar në situatat e mia atë përditshme, me thënie që krijohen nga vetë unë.

Ti ke një familje, fëmijë, pak detaje më shumë për ta...Si e racionon kohën mes punës, biznesit dhe familjes? Mendon se e ke gjetur ekuilibrin e artë?

Mund të duket e vështirë, por realisht dua të theksoj që familja ka një rol mjaft të rëndësishëm krahas biznesit në jetën personale dhe mundohem që të krijoj balancën e duhur mes tyre.

Me siguri që në këtë "normalitetin e ri" që po jetojmë për shkak të Coronavirusit, edhe biznesi juaj është prekur apo ka lulëzuar më shumë? Sepse pastërtia, dezinfentikimi në fakt janë kryefjala e luftës me Covid-19?

Normalisht që kjo pandemi ka ndikuar tek të gjithë, nuk mund ta përjashtoj dhe veten, por dua të shtoj diçka: Industria  e pastrimit nuk do të jetë më e njëjtë, por më mirë. Mund të tingëllojë çuditshëm, por tashmë njerëzit kanë parë rëndësinë e madhe dhe hapësirën që pastrimi zë në jetën tonë të përditshme dhe sa  e rëndësishme është ajo për shëndetin. Për këtë periudhë do të thoja që ndiqni  burime të besueshme dhe kushtojini rëndësi higjienës për shëndetin tuaj.

A keni bërë një plan për vijueshmërinë?

Përsa i përket Albpastrimit, normalisht që do të investojmë akoma për të përmbushur akoma më shumë pritshmëritë e klientëve, duke përfshirë dhe më shumë teknologjinë dhe programet e reja. Po ashtu, dua të theksoj se të tri bizneset janë mjaft të lidhura me njëra-tjetrën në tërësi. Së fundmi, në Albgroup po lançohet dhe Direct Booker, një aplikacion i cili ka të bëjë me menaxhimin e pronës dhe ndjekjen e saj si proces dhe reklamimin ne kanalet e shitjes AirBnB, eExpedia, Booking etj për të gjitha hotelet, bujtinat, Guest House apo ata që kanë apartamente me qera, një aplikacion të cilin mund ta menaxhojmë ne apo ta marrin me qera.

Një sugjerim tëndin për të gjithë të rinjtë që duan të hapin një biznes, që të zhvillohen si sipërmarrës e të bëhen njerëz të suksesshëm...Cila ka qenë receta jote e suksesit deri më tani?

"Nëse nuk e sfidon veten tënde, kurrë nuk ke për ta zbuluar se kush mund të bëhesh”! I qëndroj shumë kësaj shprehjeje dhe mendoj se do ishte një recetë e mirë për të ndërmarrë një nismë. Karriera ose puna më e mirë është ajo në të cilën jeni duke përdorur aftësitë që ju keni. Por, jo çdo punë duhet të adresojë të gjitha pasionet tuaja. Çdo punë që  keni fituar eksperiencë përdoreni si një mundësi për të mësuar diçka të re dhe për të mbajtur një mendje të hapur. Në një  moment ju mund të kuptoni se me të vërtetë keni aftësi në diçka që nuke  keni imagjinuar ndonjëherë për veten tuaj. Unë personalisht kam ndjekur dhe mentorë që më kanë frymëzuar vërtet, dhe do ishte një këshillë nga ana ime për të gjithë ata që duan të marrin një iniciativë. Të gjithë e kemi nisur nga fillimi, pra nga diçka. Unë mund t’ju them që duhet të bëni atë që dëshironi vërtetë.

Të gjitha kompanitë mund t'i gjeni në Instagram, FB, Linkedln si dhe në website:

www.albpastrim.al

www.albsolution.al

www.albacademy.al

www.albgroup.al