Erion Veliaj shërohet nga Covid-19: Jam i brengosur për ata që s'ia dolën

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka njoftuar se më në fund e ka mposhtur Covid-19. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, kryebashkiaku ka shprehur mirënjohjen për të gjithë ata që e ndihmuan në këtë periudhë të vështirë.
View this post on Instagram
Veliaj shprehu trishtimin për ata që nuk ia dolën në luftën me koronavirusin dhe theksoi se të qenit të bashkuar dhe bashkëpunimi do të na bëjnë të ringrihemi si komb.
“Pas dy javësh izolim e trajtim mjekësor - në Tiranë, e askund tjetër - testi i fundit me nxori të shëruar nga Covid-19 e më të fortë se kurrë për t'iu rikthyer punëve të shumta të kryeqytetit tonë.
E kam zemrën plot mirënjohje për familjen time të vogël - Ajola, Kajan dhe nënat e papërtuara - e për familjen e madhe të mijëra prej jush, që më dhatë përditë kurajo e frymëzim për ta mundur këtë flamë. â¤
Do të kish qenë edhe më e vështirë pa këmbënguljen e Ogertës, Albanës, Eugenës e Almës nga ISHP, të cilat më këshilluan ta merrja seriozisht që në fillim, pa përkushtimin 24h të Doktor Perlatit apo injeksionet pupël të infermiere Adelinës, si dhe insistimit ditor të shokut Gramoz për t'iu bindur profesionistëve heronj e jo gjithologëve mendjelehtë!
Gjatë këtyre dy javëve u miqësova me plot pacientë apo të shëruar të tjerë, njoha historitë e tyre e ndamë momente të kësaj lufte të përbashkët të njerëzimit. Ky komunitet, ku tani edhe unë duhet të bëj pjesën time, do duhet të jetë më aktiv për të ndërgjegjësuar të tjerët mbi seriozitetin e kësaj drame e nevojën për të bashkëpunuar me autoritetet çdo ditë!
Jam i brengosur për ata që s'ia dolën, më sëmbon zemrën kjo padrejtësi ku disa jetë këputen kaq beftas në mes! Vazhdoj lutem për familjet që lanë pas, e siç ua kam dëshmuar një pjese prej tyre, do angazhohem me gjithçka mundem për të lehtësuar sadopak dhimbjen e nevojat e tyre, sidomos të fëmijëve!
Ndaj miq, le të duhemi më shumë, e urrehemi më pak. Të ndihmojmë më shumë, e të shajmë më pak. Të bashkohemi më shumë, e të përçahemi më pak! Nëse i bëjmë këto e bashkëpunojmë me bluzat e bardha, do ngrihemi më të pjekur e më të fortë si komb! Unë besoj!
Mirënjohje e dashuri pafund për secilin prej jush!” –shkroi Veliaj.
Dhe jo pak e rëndësishme ishte fotoja që kryetari i bashkisë kishte zgjedhur për t'i bashkëngjitur njoftimit. Një foto me të birin në krah, të cilin ka mundur ta përqafojë lirshëm pas dy javësh të vështira, në izolim e larg njerëzve të dashur.
View this post on Instagram



