Çdo gjë ka kufirin e saj, kjo thënie vlen edhe për çantat. Është aksesori më i rëndësishëm për një grua. Zonjat apo zonjushat mund të kenë më shumë se dy çanta në dollapin e tyre, por ka dhe nga ato që mund t'u gjesh nga një çantë në çdo cep të shtëpisë. Pavarësisht nëse keni pak apo shumë çanta në gardërobë, nëse e keni vënë re, ju përdorni vetëm disa prej tyre dhe pjesa tjetër mbetet në harresë. Ato që ju nevojiten janë vetëm 4 çanta thelbësore, që do t'i keni në dorë për çdo rast.

Çantë brezi (belt bag)

Trendi kryesor i viteve 1990 është kthyer! Është praktike dhe duket mahnitëse me pothuajse gjithçka, përfshirë kostumet serioze si dhe veshjet 'casual'. Plus është një zgjedhje e shkëlqyeshme gjatë pushimeve ose gjatë një udhëtimi, pasi mbani të gjitha gjërat e rëndësishme në një pjesë komode të trupit, si dhe nuk duhet të shqetësoheni nëse dikush mund të vjedhë ndonjë send me vlerë nga çanta.

Çanta e përditshmërisë

Kjo është çanta që bëhet pjesë e pandashme e juaja. Në varësi të punës apo të aktivitetit ditor që keni, mund të zgjidhni çantë të vogël, mesatare ose të madhe. Sigurohuni që të zgjidhni një ngjyrë që do të përshtatet me ngjyrat e rrobave tuaja të përditshme.

Çantë 'Cross Body'

Ky stil do t'ju japë një liri të madhe gjatë lëvizjes. Duket më mirë sesa një çantë shpine. Zgjidhni atë që nuk është shumë e rëndë dhe me gjatësi mesatare. Një madhësi e vogël nuk do të jetë aq funksionale sa të mbartësh gjërat e tua të nevojshme. Në tërësi, është një çantë jashtëzakonisht e kombinueshme dhe e rehatshme.

Çantë 'tote'

Kjo është një tjetër çantë që i duhet çdo gruaje. Shumica e grave e përdorin për të mbajtur të gjitha gjërat e tyre me vete dhe nga ana tjetër të duket me stil dhe profesionale. Kjo çantë është ideale për të mbajtur një kompjuter portativ. Me pak fjalë, kjo është çanta që duhet të merrni me vete për në punë.