Altin Basha nga sot është drejtor i Teatrit Eksperimental. Pas 17 vitesh si regjisor i Portokallisë, Basha është larguar nga spektakli i humorit. Largimi i tij është shoqëruar me zhurmë në media, ndërsa sot, në studion e ABC News me gazetarin Endri Xhafo, regjisori ka shpjeguar arsyet e largimit.

“Unë nuk kam ndërmend të ushqej thashethemet. E kam parë si një hapësirë lirie. Në momentin kur kjo liri cënohet, arsyeja pse drejtoja Portokallinë ra. Është një kontribut që mendoj se me kohën do të vlerësohet më shumë. Nuk mendoj fare që do të bjerë Portokallia pas ikjes sime. Do duhet të presim për të parë. U uroj suksese atyre që janë atje. Nuk e kam bërë vetëm punën, ka qenë një punë grupi. Kam qenë i privilegjuar që kam punuar me një grup të rinjsh”, -është shprehur Basha.

Ai deklaroi gjithashtu se eksperiencën që mori këto 17 vite në “Portokalli” do ta vërë në jetë në një tjetër projekt për të cilin nuk dha një datë të saktë, por theksoi se mund të nisë në mes ose në fund të mandatit në krye të Teatrit Eksperimental.