Kosto e jetesës në Shqipëri në vitin 2021 do të jetë 3.8 pikë përqindje më e lartë se në vitin 2020, sipas rishikimit të fundit nga portali global i të dhënave mbi çmimet kudo në botë, Numbeo.

Shqipëria u rendit në vendin e 89-të, ndër 131 vende të listuara. Në raport me vitin 2020, Shqipëria u ngjit në renditje me 6 vende. Këto zhvillime tregojnë se në Shqipëri, jetesa po bëhet më e shtrenjtë. 

Në një krahasim tjetër, një qytetar amerikan që jeton në Nju Jork merr të njëjtat shërbime në Shqipëri duke shpenzuar 60% më pak.

Kostoja e jetesës në Shqipëri po shtrenjtohet, por treguesit zyrtarë tregojnë se të ardhurat nuk po rriten me të njëjtat ritme. Pagat në sektorin privat dhe publik vitet e fundit janë rritur me ritme pak e shumë të ngjashme me inflacionin.

Indeksi i Kostos së Jetesës i matur nga NUMBEO përjashton qiranë dhe është një tregues relativ i çmimeve të mallrave të konsumit, përfshirë ushqimet, restorantet, transportin dhe shërbimet publike.

Shqipëria dhe Mali i Zi, më të shtrenjtët në rajon

Mali i Zi dhe Shqipëria u renditën si vendet me koston më të lartë të jetesës në rajon, sipas indeksit në NUMBEO. Serbia, Bosnja dhe Maqedonia do të kenë kosto më të lirë jetese sesa Shqipëria këtë vit, në një kohë që i kanë të ardhurat nga pagat së paku 30% më të larta se shqiptarët.

Tirana më e shtrenjta

Sipas Numbeo-s, Tirana është qyteti me koston më të lartë të jetesës në Shqipëri me gati 18 pikë për qind më shumë së mesatarja kombëtare. Në kryeqytet kostoja e jetesës është 58% e kostos së Nju Jorkut.

Një familje me katër persona në Tiranë, pa qiranë, ka një kosto mujore jetese 182 mijë lekë, ndërsa një person i vetëm ka një kosto mujore 51 mijë e 700 lekë, pa qiranë.

/Monitor