Ndërkohë që nata e tretë e Sanremo 2021 kishte filluar, futbollisti Zlatan Ibrahimovic, një nga të ftuarit kryesorë të mbrëmjes, nuk kishte mbërritur ende në Teatrin Ariston. Shfaqja e tij në festival ishte parashikuar në orën 22:05, por në atë orë nuk kishte asnjë gjurmë të futbollistit kuq e zi.

Për shkak të një problemi me trafikun, i cili ishte ngadalësuar për shkak të një aksidenti rrugor, Ibrahimovic kishte mbetur i bllokuar në autostradë. Megjithatë, ai ia doli të paraqitej në skenë, edhe pse 1 orë me vonesë.

Ai tregoi se kishte zbritur nga makina dhe i kishte kërkuar ndihmë një motoçiklisti nëse mund ta sillte në Sanremo dhe fatmirësisht, ai kishte qenë tifoz i Milanit, ndryshe Zlatan vështirë se do kishte mbërritur në kohë.

"Pati një aksident në autostradë. Ndalova një motoçiklist dhe e pyeta nëse mund të më sillte në Sanremo. Për fat të mirë, ishte një tifoz i Milanit. Bëra 60 km në motoçikletë, duart e mia janë akoma të ftohta", bëri shaka Zlatan, duke treguar një video live nga motori, si provë.