Ishte ndeshja gjysmëfinale e Euro 2020, ajo mes Anglisë dhe Danimarkës, kur Dritan Shakohoxha, dha lajmin nga ‘Wembley’, se do të heqë dorë nga gazetaria sportive, një profesion që e ushtron prej më shumë se 30-vjetësh.
Në një kohë kur të gjithë ishin sy e veshë për të mësuar fituesin e mbrëmjes, Shakohoxha bëri një ‘gol’ tjetër duke komentuar ndeshjen.
Largimin përfundimtar nga ky profesion, Shakohoxha e ka përforcuar edhe mbrëmjen e djeshme, në finalen e madhe të Euro 2020, mes Italisë dhe Anglisë. Në fund të ndeshjes, ai tha se kjo ishte ndeshja e fundit që ai komentonte, sepse pas 32-vjetësh, vendosi të heqë dorë nga gazetaria sportive.
View this post on Instagram
Por cila është arsyeja për këtë vendim?
Dritan Shakohoxha, në lidhjen me programin sportiv në RTSH, nga “Wembli”, ku komentoi edhe finalen e Euro 2020, zbuloi se do të kandidojë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm për kryetar të Federatës Shqiptare të Futbollit. Këtë post, siç dihet, e mban Armando Duka prej 5 mandatesh. Për të qenë i lirë dhe i pakushtëzuar në këtë garë, Shakohoxha ka zgjedhur të heqë dorë nga profesioni dhe të përgatitet për fushatën e fillimvitit të ardhshëm:
“Do lë gazetarinë, por në ambientin e sportit do të jem dhe do të jem gjatë. Çfarë të them më hapur? Do kandidoj për president të FSHF-së. Kam bindjen se do të fitoj”,- tha Shakohoxha.
Në llogarinë e tij në Instagram, Shakohoxha ka postuar edhe dhjetëra mesazhe që kanë i kanë dërguar personazhe të njohur nga fusha e sportit dhe jashtë tij. Një pjesë kanë shprehur keqardhjen për vendimin e tij, por shumë të tjerë, pa dyshim, i kanë uruar suksese në objektivin e tij të ri.