Pas finales së mbrëmshme me Italinë, Anglia u përball me një sulm racist drejtuar tre lojtarëve të ekipit kombëtar që humbën goditjet e dënimit gjatë ndeshjes.
Futbollistët Marcus Rashford, Jadon Sancho dhe Bukayo Saka, të cilët janë me ngjyrë, u vunë menjëherë në shënjestër pas humbjes së Anglisë dhe mijëra postime raciste u shpërndanë në rrjetet sociale. Gjithashtu, një pikturë murale e Rashford në vendlindjen e tij, Mançester, u dëmtua.
Princi William dhe kryeministri Boris Johnson dënuan sulmet. Twitter njoftoi sot në mëngjes se kishte hequr 1.000 postime drejtuar lojtarëve dhe kishte pezulluar përgjithmonë një numër llogarish, ndërsa Facebook tha se kishte fshirë komentet sulmuese nga Instagrami, pa specifikuar sa.
"Kjo skuadër e Anglisë meriton të lavdërohet si heronj, jo të abuzohet në mënyrë raciste në mediat sociale," shkroi Johnson në Twitter. "Ata që janë përgjegjës për këtë abuzim të tmerrshëm duhet të turpërohen nga vetja e tyre."
Ndërsa Princi William shkroi:
"Jam i neveritur nga abuzimi racist ndaj lojtarëve të Anglisë pas ndeshjes së mbrëmshme. Është plotësisht e papranueshme që lojtarët duhet të durojnë këtë sjellje të neveritshme. Kjo gjë duhet të ndalet tani dhe të gjithë ata që janë të përfshirë duhet të mbajnë përgjegjësi. W."