Stuhi dhe rrebeshe shiu edhe në Shqipëri, si do të jetë moti në fundjavë

Përmbytjet që kanë shkaktuar dhjetëra viktima në Evropë dhe që kanë goditur më ashpër Gjermaninë, janë cilësuar nga ekspertët si më katastrofike në 100 vjetët e fundit. Po vendi ynë a rrezikon të preket nga përkeqësimi i motit?
“Kjo stuhi e ka pikënisjen nga brigjet jugore të Britanisë së Madhe, gradualisht përfshiu veriun e Gjermanisë, vendet e Beleluksit, Belgjikë, Luksemburg e Holandë, dhe po zhvendoset drejt Alpeve të Europës. Rajoni i Ballkanit do të preket shumë pak, ku përfshihen Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ku presim që duke nisur nga medista e sotme dhe deri të dielën të kemi rrebeshe shiu, stuhi ere. Po ashtu, nuk do të mungojnë edhe stuhitë lokale të breshërit", - thotë për Top Channel meteorologia Adiola Bani.
"Në fakt, vendi ynë gjatë kësaj fundjave deri ditën e shtunë, pas mesditës mbetet me kthjellime dhe vranësira të herëpashershme. Reshjet do të jenë të lokalizuara vetëm në veri-verilindje. E diela dhe e hëna janë ato që do na sjellin prezencën e rebesheve të shiut në një pjesë të mirë të territorit shqiptar. Shpëton gjatë së dielës vetëm bregdeti i Jonit me kthjellime e vranësira dhe shumë pak reshje, ndërsa pjesa tjetër e territorit do të ketë rrebeshe shiu, stuhi lokale ere, breshëri nuk do të mungojë për shkak të temperaturave të larta dhe episodet e shkurtra 2-3 orarëshe me fuqizim të parametrit të erës, e cila do të jetë jo pak problematike në det të hapur".
Gjatë mesditës së të dielës, termometri zbret deri në 32 – 33 gradë celcius, maskimumi në rang territori, ndërsa përmirësim të kushteve të motit, priten nga pasditja e së hënës e në vijim, kur masat do të largohen dhe situata do të përmirësohet.



