Këtë javë, teksa bënim zapping, na tërhoqi vëmendjen një personazh interesant, i ftuar në “Pushime on Top” dhe e intervistuar nga Ori Nebijaj. Kureshtarë, u ndalëm pak sekonda për të dëgjuar bisedën, sepse Katia, ky personazh i ri dhe i panjohur për ne, të mbante mbërthyer pas ekranit me energjinë pozitive, buzëqeshjen e ëmbël dhe portretin paqësor. Duke dëgjuar bisedën mësuam se Katia Stathaki është CEO i ri i Vodafone në Shqipëri, por jo një CEO dosido; ajo është një drejtuese historike, pasi është hera e parë në 20 vjetët e operimit në treg të Vodafone Albania, që drejtimin e kësaj kompanie e merr një grua. U shpreh se ndihet shumë e lumtur për këtë fakt dhe për këtë mundësi fantastike që i është dhënë nga grupi Vodafone. Theksoi se kompania Vodafone po punon fort për të promovuar diversitetin, gjithëpërfshirjen e kujtdo në vendin e punës e që të ketë sa më shumë gra në pozicione drejtuese. 

Një të tillë pozicion të lartë drejtues mban edhe ajo tashmë, por na solli në ekran jo atë figurën serioze të CEO-s, siç ndodh zakonisht me drejtues të këtij niveli, por kishte zgjedhur t’u prezantohej shqiptarëve, në këtë dalje të parë, në një komunikim miqësor, spontan, të natyrshëm e sportiv, siç duket se është dhe vetë ajo. Na tregoi se i pëlqen natyra, të vizitojë vende të reja e të provojë ushqime lokale, pra të eksplorojë sa më shumë Shqipërinë, vendin që tashmë do të bëhet shtëpia e saj e dytë. Sepse edhe bashkëshorti e djali i saj 10 vjeç, Leon, do të shpërngulen për të jetuar në Tiranë. “Djali do të shkojë në shkollë këtu. Po përgatitemi për një jetë të bukur këtu, kështu që ndihemi të nderuar e të lumtur që jemi në vendin tuaj”, u shpreh Katia duke shtuar më pas se, “Kam pasur shumë impenjime që prej ditës që kam ardhur, sepse njerëzit duhet të jenë të lidhur me Vodafone kurdo e kudo, por gjithsesi kam mundur ta vizitoj disi Tiranën. Njoh shumë shqiptarë në Greqi, të cilët më kanë folur për Shqipërinë, por nuk e prisja të gjeja një qytet kaq të gjallë sa Tirana. Energjik, rinor, me kaq shumë vende të bukura për të vizituar. Ushqimi është fantastik dhe për mendimin tim, kulinaria apo zakonet e një vendi, flasin shumë për njerëzit, për mënyrën se si jetojnë. Jam e befasuar dhe mezi pres të mësoj më shumë për Tiranën në të ardhmen.”

Katia pasi e mori detyrën si drejtuese e Vodafone Albania në 1 korrik, ka takuar shumë njerëz. “Jam befasuar dhe nga niveli e profesionalizmi i njerëzve që po takoj. Nga punonjësit e Vodafone, në dyqanet tona... Kjo ishte një mënyrë për ta bërë udhëtimin tim më të lehtë gjatë verës.”

Katia tregoi se ka vizituar edhe disa nga qytetet më të bukura të Shqipërisë, si Korça, Shkodra, Berati dhe Elbasani. 

Këto mendime e ndjesi për vendin tonë, ajo do t’i ndajë me të njohur e të panjohur, me të afërt e të largët, përmes postimeve në rrjetet e saj sociale. “Më pëlqen shumë të postoj stories nga Vodafone. Do të jem ambasadorja numër një e Shqipërisë. Vodafone ka nisur fushatën #kudomevodafone, për të promovuar vendet e historinë e bukur të Shqipërisë e bashkë me të dhe rrjetin cilësor e të aksesueshëm kudo, që u jep mundësi të gjithëve të ndajnë eksperiencat e tyre kudomevodafone”, u shpreh Katia, duke e shqiptuar pastër e bukur në shqip frazën “kudo me Vodafone”. 

Duhet të jetë togfjalëshi i parë i mësuar në shqip, e sigurisht jo i fundit. CEO e re e Vodafone Albania do të ketë shumë për t’u thënë shqiptarëve, në vitet e drejtimit të saj.