Këtë vit, më shumë se kurrë po vëmë re një ringjallje të modës së fillimit të viteve 2000, e njohur ndryshe si moda Y2K. Veç kësaj, shumë njerëz të famshëm po veshin fustane nga arkivat e stilistëve me emër, si Versace dhe Jean Paul Gaultier.
Po ashtu, gjithnjë e më shpesh po ndodh që stilistët t’i përditësojnë modelet arkivore me stilin aktual. Më poshtë mund të shikoni disa “ringjallje” të modës së arkivave, nga vajzat e famshme që janë frymëzuar nga vajza të tjera të famshme, duke i risjellë veshjet e vjetra me një prekje moderne.
Fustani Versace i Beyoncé
Në vitin 2003, Beyonce në fillimet e karrierës së saj solo, veshi një fustan të shkurtër vjollcë me detaje jeshile nga Versace për performancën e saj "Crazy In Love" në BET Awards. Pothuajse 20 vjet më vonë, aktorja dhe këngëtarja Zendaya veshi një version më të gjatë të fustanit në BET Awards 2021.
Fustani Versace i Elizabeth Hurley
Aktorja Elizabeth Hurley mahniti në premierën e vitit 1994 të “Four Weddings And A Funeral” kur u shfaq me këtë fustan seksi nga Versace. Fustani ikonik është ripërsëritur jo një, por dy herë - Lady Gaga veshi një të njëjtë në Milano në vitin 2012 dhe Jennifer Lawrence u vesh me një fustan të zi të ngjashëm për premierën e “Red Sparrow”.
Veshja Alexander McQueen e Angie Barret
Kur Angie Barrett pa këtë fustan të frymëzuar nga deti të koleksionit Pranverë/Verë 2003 nga Alexander McQueen, ajo u dashurua menjëherë, duke e veshur në Beaux Arts Ball dhe Festivalin e Filmit në Kanë në vitin 2003. Pothuajse dy dekada më vonë, Kim Kardashian rikrijoi fustanin e famshëm në festën e Oscars, Vanity Fair, në vitin 2020.
Naomi Campbell në Jean Paul Gaultier
Gjatë ditëve të arta të karrierës së saj në pasarelë, Naomi Campbell sfiloi për Jean Paul Gaultier Pranverë/Verë 2002 me këtë fustan të bardhë me tyl të zi. Frymëzuar nga ajo, supermodelja Bella Hadid veshi të njëjtin fustan në Festivalin e Filmit në Kanë pak javë më parë.
Laura Dern në Armani
Gjithmonë origjinale, Laura Dern u frymëzua nga vetja, duke veshur fustanin e zi Armani të dizajnuar për të në vitin 1990. Ajo e veshi për herë të parë në vitin 1995 në Sheba Humanitarian Awards Gala, dhe e veshi përsëri në Vanity Fair Oscars After Party 2020.
Kostumi i vizitës së Olivia Rodrigo në Shtëpinë e Bardhë
Ndërsa vizitoi Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar vaksinimin e të rinjve me Presidentin Joe Biden, ylli muzikor i vitit 2021, Olivia Rodrigo, bëri tituj në media për kostumin e saj Chanel, që është më i vjetër se ajo. Veshja ishte pjesë e koleksionit Pranverë/Verë 1995 të stilistit Karl Lagerfeld për markën dhe tani është risjellë në vëmendje nga një nga yjet e preferuar të muzikës pop për të rinjtë.