Mbrëmja e ndërrimit të viteve në Tv Klan është festuar mes gjithë artistëve të spektaklit “Dance With Me”, të cilët përveç kërcimit, kanë uruar të gjithë shqiptarët për Vitin e Ri. Por një nga çiftet më të diskutuar të sezonit të dytë kanë qenë Stine dhe Roza, të cilët kanë uruar të gjithë shqiptarët për një vit të mbarë. Roza, pasi ka zgjedhur të urojë veçanërisht fëmijët që e festojnë natën e Vitit të Ri pa prindër, “sidomos ata të vegjlit fare, që Zoti i ka si sytë”, siç tha ajo, ka uruar edhe partnerin e saj për më të mirat. Ndërsa Stine ka rezervuar një urim special për të gjithë artistët që natën e ndërrimit të viteve e festojnë me familjen e tyre të madhe – publikun. Por nuk ka lënë pa bërë një deklaratë publike edhe për partneren e tij në DWM: “Të mësojë më mirë të kërcejë”, - tha Stine për Rozën, duke përfshirë edhe veten.

Kërcimi, arsyeja e këtij bashkimi të çiftit aq të ndjekur dhe të pëlqyer nga publiku, pse jo, mund t’i bashkojë përsëri në të ardhmen, pavarësisht se pas këtij spektakli, rrugët e tyre do të ndahen drejt partnerëve të zgjedhur të jetës. Roza, në fund, pasi i ka uruar partnerit të saj më të mirat, ka shtuar se kjo eksperiencë e bukur në “Dance With Me” do t’i mungojë për një kohë të gjatë. Në fund, Stine i ka dhuruar Rozës një puthje për t’i uruar asaj vetëm dashuri në jetë.