
Aktorja e njohur meksikane Carmen Salinas ndërroi jetë ditën e djeshme, në moshën 82-vjeçare. Prej një muaji Salinas ishte e shtruar në spital, pasi pësoi një goditje në tru që e la në koma.

Vdekja e producentes dhe politikanes, e njoftuar nga familja e saj në orët e vona të së enjtes, la në zi industrinë e argëtimit meksikan, ku ajo pati një karrierë të gjatë dhe një ndikim të madh.
Protagonistja e mbi 100 melodramave dhe filmave u admirua gjerësisht për talentin dhe bujarinë e saj.
Kur pësoi goditje në tru, ajo ishte duke marrë pjesë në xhirimet e telenovelës "Mi fortuna es amarte", ku luante Doña Margarita Domínguez.

Sipas raportimeve të mediave, aktoret si Silvia Pinal dhe Ana Martin u konsideruan shpejt si zëvendësuese për të luajtur personazhin.
Salinas la pas vajzën e saj të vetme, María Eugenia Plascencia, dhe 7 nipër e mbesa.

