Informacion i përgjithshëm rreth librit

New York Times bestseller! Fitues i Çmimit Josette Frank, çmim që jepet për librat me vlera letrare pozitive, në të cilët fëmijët apo të rinjtë përballojnë në mënyrë pozitive dhe realiste vështirësitë e botës së tyre dhe rriten emocionalisht dhe moralisht. Çmimi jepet çdo vit, qysh prej 1943-shit. Josette Frank, redaktore dhe hartuese antologjish për fëmijë, për shumë vjet, ka qenë Drejtore Ekzekutive e Child Study Association of America.

Melodia është një vajzë 11-vjeçare, krejt ndryshe nga pjesa më e madhe e njerëzve. Ajo s’mund të ecë, s’mund të flasë, s’mund të shkruajë, për shkak të një sëmundjeje të lindur. Nga ana tjetër, ka një kujtesë fotografike, ajo arrin të mbajë mend çdo hollësi të çfarëdolloj gjëje, që nuk e ka përjetuar. Melodia është vajza më e zgjuar e gjithë shkollës, por askush nuk e di këtë. Pjesa më e madhe e njerëzve – mësuesit, mjekët, shokët e saj të klasës – nuk e marrin në konsideratë, pasi nuk arrijnë ta besojnë se mendja e saj brilante arrin përtej asaj çka përfytyrojnë ata. Por Melodia nuk pranon ta përcaktojnë e ta përkufizojnë në bazë të paaftësisë së saj. Ajo është e vendosur t’u tregojë të gjithëve e gjithë botës... mendjen e saj të shkëlqyer.

“Përtej botës sime”, bestseller i New York Times-it për më shumë se 3 vjet, është një histori sfiduese, që do të ndryshojë përgjithmonë perceptimin tonë për njerëzit me aftësi ndryshe. Një libër i përsosur për gjithë ata që kanë për zemër romanin “Mrekullia” të RJ Palacio-s.

Kritika

Një histori e guximshme, e dëlirë dhe rrëmbyese. Një histori sa për mijëra fjalë.

School Library Journal

Frymëzues dhe tronditës! Ky libër sfidon çdolloj kategorizimi bazuar te mosha: për të vegjlit, është një lexim mjaft i thjeshtë, por edhe për adoleshentët e prindërit është një histori që do t’u ndriçojë mendjen dhe do t’i bëjë të mendojnë.

Booklist

Vetëm ata që janë zemërgurë nuk do të mallëngjehen e nuk do të qajnë, kur Melodia, për herë të parë, u thotë prindërve “Ju dua”.

Publishers Weekly

Autorja

Sharon Mills Draper (21 gusht, 1948) është shkrimtare amerikane për fëmijë, që merret me çështjet e arsimit dhe edukimit të fëmijëve. Më 1997, u shpall “Mësuesja Kombëtare e Vitit”. Ka fituar pesë herë çmimin Coretta Scott King për librat rreth të rinjve dhe adoleshentëve afro-amerikanë. Në 2015 ka marrë çmimin Margaret A. Edwards për karrierën letrare, dhënë nga American Library Association. Siç thotë vetë ajo: “Mësova të ëndërroj përmes leximit, mësova të krijoj ëndrra përmes të shkruarit dhe mësova të krijoj ëndërrimtarë të rinj përmes mësimdhënies. Do të jem gjithnjë ëndërrimtare.”

Fragmente nga libri

1) Që e vogël fare – mbase vetëm disamuajshe – fjalët ishin si dhurata të ëmbla, të lëngshme, dhe i pija si limonadë. Gati ua ndieja shijen. Ato u jepnin përmbajtje mendimeve dhe ndjenjave të mia të rrëmujshme. Prindërit më kanë rrethuar gjithmonë me fjalë. Fjaloseshin dhe dërdëllisnin pa fund. Shpreheshin me fjalë e me tinguj. Babi më këndonte. Mami më pëshpëriste në vesh.

2) Mendimet kanë nevojë për fjalët. Fjalët kanë nevojë për zërin.

3) Tingujt hynin brenda meje dhe pluskonin pareshtur. Ninullat, përzier me aromat e buta të mbrëmjes, flinin tok me mua. Çdolloj harmonie më bënte të buzëqeshja. Më duket sikur në jetën time gjithmonë kam pasur një kolonë zanore të pikturuar që luhet në sfondin e saj. Pothuajse i dëgjoj ngjyrat dhe nuhas imazhet, sa herë luhet muzikë.

4) Çdokush përdor fjalët për t’u shprehur. Përveç meje. Dhe vë bast që shumica e njerëzve nuk e kuptojnë fuqinë e vërtetë të fjalëve. Unë, po.

 

Titulli: Përtej botës sime

Titulli në origjinal: Out of my mind

Autore: Sharon M. Draper

Përktheu: Evisa Lumani

Zhanri: Roman

Data e botimit: shkurt, 2022

Numri i faqeve: 232

Çmimi: 1000 lekë