19 fëmijë dhe 2 të rritur janë vrarë në një sulm me armë në një shkollë fillore në Teksasin jugor.

Personi i armatosur ishte një 18-vjeçar, i cili hapi zjarr në shkollën fillore Robb - ku studiojnë fëmijët e moshës 7 deri në 10 vjeç - në qytetin e Uvalde. Gati 500 nxënës mësojnë në atë shkollë.

18-vjeçari kishte një pistoletë, një pushkë gjysmë automatike AR-15 dhe karikatorë me kapacitet të lartë, thonë hetuesit. Dy agjentë kufitarë thuhet se u qëlluan në një shkëmbim zjarri me personin e armatosur. Një agjent u qëllua në kokë, thonë zyrtarët, duke shtuar se të dy tani janë në gjendje të qëndrueshme në spital. Agjencia e lajmeve Associated Press raporton se një zyrtar i Patrullës Kufitare të SHBA-së, i cili ishte afër kur filluan të shtënat, hyri me shpejtësi në shkollë dhe qëlloi duke e lënë të vrarë personin e armatosur.

Adoleshenti dyshohet se ka qëlluar gjyshen e tij para se të shkonte drejt shkollës. Sipas CBS News, ai kishte veshur antiplumb ndërsa kreu sulmin.

Mediat lokale raportojnë se ai mund të ketë qenë një nxënës i shkollës së mesme në zonë. Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott tha se sulmuesi, të cilin ai e quajti si Salvador Ramos, braktisi një automjet përpara se të hynte në shkollë për të hapur zjarr.

Një nga të rriturit e vrarë ishte një mësuese, e cila është përmendur në mediat amerikane si Eva Mireles.

Spitali Memorial Uvalde postoi në Facebook më herët se 13 fëmijë ishin dërguar në spital. Një grua 66-vjeçare dhe një vajzë 10-vjeçare ishin në gjendje kritike në një spital në San Antonio, thanë zyrtarët e spitalit Universitar Shëndetësor.

Burimi: BBC